Akademia Vllaznia mbyll vitin me analizën e punës 6 mujore

331

Pasditen e sotme në zyrat e klubit të futbollit Vllaznia, është zhvilluar analiza e punës 6 mujore të Akademisë Vllaznisë. Kanë marrë pjesë të 11 trajnerët e kësaj Akademie si dhe përgjegjësi i saj Ismet Hoxha dhe drejtori sportiv i klubit Armir Grima. Ai që ka hapur këtë analizë ka qenë përgjegjësi i Akademisë Ismet Hoxha i cili ka folur për punën e bërë që nga seleksionimet në të gjithë ekipet në muajin gusht për të vazhduar deri më tani kur ka përfunduar gjysma e sezonit. Ai ka vlerësuar punën e bërë nga të gjithë trajnerët dhe ka evidentuar sidomos ekipin e 19 vjeçarëve që dallohet jo vetëm për rezultatet por edhe punën sistematike dhe shumë cilësore që bëhet aty.
Pas tij, kanë marrë me rradhë fjalën një e nga një të gjithë trajnerët, duke filluar nga ai i U-19 Luan Zmijani, për të vazhduar me atë të U-17 Alban Nogën, të U-16 Alban Volumin, tre trajnerët e ekipeve të U-15 Gjon Kola, Astrit Prençi dhe Albert Kaçi, të U-13 Fatmir Axhani e Ferid Borshi, të U-11 Edmond Doçi, për të përfunduar me trajnerin e portierëve Paulin Ndojën. Nga analizat e secilit trajner, janë evidentuar ato çfarë kanë bërë mirë por edhe për ndonjë vështirësi që kanë patur në punën e tyre, sidomos në kushtet e stërvitjes derisa ka qenë pa përfunduar sistemi i ndriçimit në fushën sportive “Reshit Rusi”. Ata kanë bërë edhe kërkesat e tyre në adresë të klubit për përmirësimin e kushteve të punës. I fundit që ka folur ka qenë drejtori sportiv Armir Grima. Ai në rradhë të parë ka falenderuar të gjithë trajnerët për përkushtimin në stërvitje dhe rezultatet e arritura. Ka falenderuar në veçanti ekipin e 19 vjeçarëve që sipas tij duhet marrë si model i punës, pa lënë mënjanë edhe ekipin U-16 të drejtuar nga Volumi që ndonëse i lënë disi në harresë nga ana e klubit, ka bërë gjithçka mirë në ecurinë e deritanishme të tij. “Ajo çfarë dua t’u kërkoj është që në grupmoshat nga 15 vjeç e lart, t’i jepni prioritet lojtarëve që duket se kanë të ardhme ndërsa 15 vjeç e poshtë, dua t’u kërkoj t’i mëshoni më tepër punës teknike me futbollistët. Duhet patjetër të luftoni për të korigjuar gabimet e vërejtura deri tani dhe njëkohësisht në emër të klubit ju premtoj se do bëjmë më të mirën e mundshme që t’u plotësohen kushte për stërvitje sa më të mirë me këto ekipe”-ka thënë ai. Në këtë mënyrë, është mbyllur kjo analizë, me premtimin se do përsëritet sërish në fund të sezonit për të parë edhe atëherë si kanë shkuar gjërat. Sivjet shumë gjëra kanë ndryshuar për mirë tek Akademia Vllaznia dhe kjo duket në seriozitetin e punës dhe jo vetëm tek rezultatet sepse shumë ekipe të saj janë në vendet e para në kampionatet ku marrin pjesë.

www.vllaznia.al