Akademia Vllaznia, një humbje dhe një barazim ndaj ekipeve të Partizanit

213

Java e 11-të nuk ka qenë shumë e mbarë për ekipet e Akademisë Vllaznia. Ekipi U-17 nuk ka shkuar dot më shumë sesa barazimi pa gola ndaj bashkëmoshatarëve të tyre ndërkohë 19 vjeçarët kanë humbur 1-2. Këto takime janë luajtur në fushën sportive “Reshit Rusi” dhe kishin ngjallur interes pasi këto ekipe ishin rivale të njëra- tjetrës në luftë për vendet e para në renditje. Takimi i parë ka qenë ai i 17 vjeçarëve.Pavarësisht rasteve të të dy ekipeve, nuk ka patur gol në asnjërën portë. Madje, Partizani ka patur shansin më të mirë të realizonte sepse në favor të tij është dhënë një 11-metërsh por ka qenë portieri shkodran Qarri që e ka pritur atë duke i dhënë në këtë mënyrë barazimin ekipit të tij. Pavarësisht këtij barazimi, Vllaznia U-17 vazhdon të mbajë vendin e parë në renditje me 27 pikë duke lënë pas Tiranën dhe Shkëndinë. Kuqeblutë ende nuk njohin shijen e humbjes në këtë takim teksa edhe golaverazhin e kanë shumë pozitiv, 19-4.
Nëse në këtë takim nuk ka patur gola, në atë të 19 vjeçarët ka patur por në fakt kanë qenë miqtë nga kryeqyteti që kanë shënuar dy herë duke fituar këtë takim shumë të rëndësishëm.Ata kanë shënuar në minutat e para të ndeshjes me anë të një 11-metërshi por po në pjesën e parë ka qenë sulmuesi Pusi që ka barazuar shifrat.Në pjesën e dytë pritej një “zgjim” i kuqebluve por nuk ka ndodhur kështu. Ata nuk kanë qenë në një ditë të mirë dhe nga kjo ka përfituar Partizani që ka shënuar edhe golin e dytë atë të fitores. Me këtë trepikësh, është kjo skuadër tashmë në vendin e parë në renditje ndërkohë që Vllaznia zbret në të dytin.

© vllaznia.al