Albert Kaçi nis punë si trajner i Akademisë Vllaznia

138

Rradhët e Akademisë Vllaznia shtohen me një tjetër emër të njohur të saj në vitet e fundit. Ai është Albert Kaçi që kësisoj bëhet pjesë e stafit të trajnerëve të saj. Ish- futbollisti i njohur i kuqebluve ka disa kohë që ka nisur punë bashkë me trajnerin tjetër Astrit Premçi me grupmoshën e 14 vjeçarëve. Duke qenë se me këtë grupmoshë ka patur një dyndje të madhe fëmijësh të rregjistruar, ka qenë e nevojshme gjetja e një trajneri tjetër dhe për këtë arsye, sytë janë hedhur drejt Kaçit i cili është në fund të karrierës së tij si futbollist. Siç e dini, mesfushori sulmues ka luajtur për vite e vite me rradhë me Vllazninë duke qenë pjesë e saj edhe në fitimin e titullit kampion në vitin 2001, fitues i Superkupës po këtë vit si dhe fitues i Kupës së Shqipërisë në vitin 2008. Po ashtu është shpallur kampion edhe me ekipin e Elbasanit. Pikërisht kjo karrierë si futbollist do ta ndihmojë atë edhe në karrierën e saponisur të trajnerit. Ai tashmë ka firmosur me klubin Vllaznia kontratën e parë si trajner dhe pritet të shihet se çfarë është në gjendje të japë në këtë pozicion. Duhet thënë se drejtuesit e klubit shkodran po tentojnë afrimin pranë Akademisë të ish- futbollistëve të saj në vitet e fundit dhe shembulli më i mirë për këtë është jo vetëm ky i Albert Kaçit por pak kohë më parë të njëjtën gjë ka bërë edhe me Edmond Doçin.
© vllaznia.al