Alsid Tafili firmos për Vllazninë. U ktheva me shumë dëshirë në shtëpinë time

223

Vllaznia bën realitet edhe goditjen e dytë në merkato. Pas mbrojtësit Endri Vrapi, paraditen e sotme, drejtuesit e klubit kanë firmosur edhe me Alsid Tafilin. Mesfushori shkodran kishte ditë që përflitej për një rikthim të mundshëm tek kuqeblutë megjithatë vetëm sot kjo është bërë realitet. 28 vjeçari ka firmosur për një sezon e gjysëm me Vllazninë dhe menjëherë pas kësaj, ka zhvilluar edhe seancën e parë me ekipin. Vetë ai në prononcimin e parë për mediat, është shprehur I kënaqur për këtë rikthim në shtëpi. “Arsyet pse vendosa të rikthehem tek Vllaznia janë të qarta. Së pari, se jam më pranë familjes time. Së dyti, fakti që më ka telefonuar trajneri Cungu dhe më ka shprehur besimin e tij, ka qenë shumë domethënës për mua dhe së treti, do luaj për Vllazninë dhe nuk ka shumë nevojë për koment për këtë gjë. Nisur nga ajo që unë nuk kam gjetur shumë hapësira tek Partizani, sigurisht që e kam pritur me shumë kënaqësi ftesën për të luajtur tek skuadra e qytetit tim. Me drejtuesit e klubit kam rënë dakord fillimisht për një bashkëpunim deri në fund të sezonit por kuptohet kemi biseduar edhe për vazhdimësinë dhe besoj se do të jem gjatë këtu. Erdha me dëshirë sepse shoh që ka ndryshime tek Vllaznia, mbi të gjitha në aspektin financiar ngaqë Bashkia ka garantuar financat dhe kjo është shumë e rëndësishme për një futbollist. Besoj se do të bëjmë gjëra të mira me këtë skuadër”- ka thënë Tafili. Me ardhjen e Tafilit, reparti I mesfushës tashmë duket I blindur dhe vëmendja e drejtuesve të klubit dhe stafit teknik të Vllaznisë është përqendruar tek gjetja e një sulmuesi megjithëse po flitet edhe për rikthimin e një shkodrani tjetër, Arsid Krujës megjithatë për të, duhet pritur edhe disa ditë.
© vllaznia.al