Amuli: Vllaznia do tentojë deri në fund në Kupën e Shqipërisë

206

Prej gati dy muajsh që ka marrë përsipër të drejtojë Vllazninë (në rolin e kryetarit të Bordit Mbikëqyrës të saj), Xhevdet Amuli ka shpenzuar jo pak kohë për të. Duke lënë mënjanë edhe biznesin e tij ashtu si dhe anëtarët e tjerë të këtij Bordi të cilët po bëjnë më të mirën e mundshme që skuadra të mos ketë asnjë problem dhe të ecë përpara.Amuli ndjek stërvitjen e ekipit edhe në Ulqin dhe bisedon me drejtuesit e tij për të parë se çfarë shkon ashtu si duhet dhe çfarë nuk shkon.dy ditë më parë ka qenë atje bashkë me dy anëtarët e tjerë të Bordit, Luan Hetën dhe Xhemal Bushatin dhe kanë parë nga afër gjithçka që kishte të bënte me skuadrën e tyre.

Kryetari i Bordit flet me optimizëm për të ardhmen e kuqebluve kur për gazetarët do të jepte këtë interviste:

 

-Amuli, nuk po mungoni të ndiqni ekipin edhe në Ulqin. Si po shkojnë përgatitjet sipas jush?

-Mendoj që mirë sepse kushtet atje janë të përshtatshme për të zhvilluar një stërvitje intensive. Për këtë arsye, madje kemi vendosur që ta shtyjmë qëndrimin e ekipit në Ulqin deri përpara ndeshjes me Kukësin në mënyrë që skuadra të përgatitet ashtu si duhet për këtë takim shumë të rëndësishëm.

-Megjithatë është larguar Kruja. A ishte zgjedhja e duhur për ta lënë këtë futbollist të largohet?

-Të them të drejtën nuk kam qenë shumë entuziast për ta lejuar këtë futbollist të largohet dhe aq më tepër për një ofertë të tillë. Por duke parë dëshirën e futbollistët për të shkuar në Arabi, vendosëm të mos e pengojmë duke i uruar sukses në karrierën e tij. Them se marrëveshja përfundimtare me klubin arab do mbyllet për pak orë dhe lojtari do të nisë kështu një aventurë të re.

-Do tentojë deri në fund të merkatos Vllaznia për të marrë edhe lojtarë të tjerë?

-Nuk e besoj. Siç dihet në këtë periudhë të sezonit është e vështirë të gjesh lojtarë cilësorë që janë pa kontratë me klubet e tjera. Nëse edhe uruguajanët nuk rezultojnë të vlefshëm, do të mbështetemi tek të rinjtë tanë sepse kanë më shumë vlera dhe garantojnë shumë për të ardhmen.

-Si e konsideroni ecurinë e Vllaznisë në gjysmën e dytë të sezonit?

-Besoj se do të jetë e mirë dhe mbi të gjitha nuk do të ekzistojnë problemet që kanë qenë në gjysmën e parë. Për këtë, ne si Bord jemi të angazhuar maksimalisht për të bërë më të mirën dhe jam i bindur se Vllaznia ka për të qenë në një pozicion komod në renditje në fund të kampionatit.

-Po në Kupën e Shqipërisë, do të ketë pretendime skuadra?

-Patjetër. Ndeshjen e parë e kemi me Kukësin në Shkodër dhe do bëjmë maksimumin për të marrë një rezultat sa më të mirë në mënyrë që të shpresojmë pastaj tek kualifikimi në ndeshjen e kthimit. Dëshira është e madhe, edhe mundësitë janë dhe pse jo, do të tentojmë deri në fund.

-Së fundi, folët për objektiva por nga ana financiare, si do të jetë e ardhmja e Vllaznisë?

– E garantuar. E kemi thënë dhe e përsërsim, deri në maj Vllaznia i ka të gjitha paratë që i duhen të sigurta nga ana e Bashkisë Shkodër.

© vllaznia.al