Canaj: Do provojmë disa futbollistë. Shpresoj të rezultojnë të mirë

227

Optimizëm dhe besim, kjo është ajo çfarë është vërejtur sot tek trajneri i Vllaznisë Agim Canaj para nisjes së seancës së parë stërvitore për vitin 2014. Në një intervistë të zgjeruar, ai ka folur edhe për afrimet e mundshme të lojtarëve apo dhe largimet, duke theksuar faktin se do bëhet gjithçka që skuadra të ecë ashtu siç duhet në të dy kompeticionet, si në kupë ashtu edhe në kampionat. Trajneri Agim Canaj duke folur për mediat ka thënë se skuadra ka nevojë për përforcime në çdo repart ndërkohë që sipas tij nuk është e mira që të largohet asnjë futbollist prej saj. “Kanë ardhur tre futbollistë për t’u provuar por natyrisht që ata duhet të jenë më të mirë se këta që janë aktualisht në skuadër. Ne do fillojmë menjëherë testimet për to dhe shpresojmë të rezultojnë të vlefshëm. Sa i takon Seminës, di që ka shkuar për një provë jashtë vendit sepse e ka këtë opsion për t’u larguar edhe në kontratë. Unë natyrisht që nuk dëshiroj të largohet askush sepse duhet të kemi një kontigjent sa më të plotë në dispozicion ngaqë luftojmë në të dy frontet, si në kupë ashtu edhe në kampionat dhe pjesa e dytë e sezonit do të jetë shumë e fortë”- ka thënë ai.Ndërkohë ende nuk është e qartë se ku do të zhvillohet faza përgatitore, në Shkodër apo në Ulqin. Për trajnerin Canaj, kudo që të zhvillohet do të bëhet më e mira e mundshme për t’u përgatitur për gjysmën e dytë të sezonit.”Ne kemi bërë planet tona dhe do shikojmë mundësitë e klubit se ku do t’i zhvillojmë stërvitjet tona. E mira do ishte sikur të lëviznim diku jashtë vendit por edhe këtu do të mundohemi të zbatojmë programin stërvitor për t’u bërë gati për ndeshjet zyrtare të këtij viti”- ka thënë Canaj.Vllaznia kësisoj nga sot nisur përgatitjet e saj për vitin 2014 duke shpresuar se do jetë një vit shumë më ndryshe se ai që la pas, si në rezultate ashtu edhe në shumë drejtime të tjera.
© vllaznia.al