Canaj: Kemi probleme me mungesat por do kërkojmë pikë në Laç

188

Trajneri i Vllaznisë Agim Canaj e ka konsideruar një ndeshje shumë të vështirë atë që do të luhet ditën e dielë në Laç ndaj skuadrës vendase por ka theksuar se me një impenjim të të gjithë futbollistëve, mund të merret një rezultat pozitiv. Kjo deklaratë është bërë prej tij pikërisht para seancës së fundit stërvitore të kësaj jave. Canaj ndër të tjera ka theksuar se atmosfera në skuadër është pozitive pas kualifikimit në kupë me Partizanin. “Ne e kemi vlerësuar seriozisht këtë ndeshje e cila është shumë e vështirë. Duhet ta pranoj se në rradhët e skuadrës sonë ka entuziasëm pas kualifikimit në kupë dhe do të mundohemi ta shfrytëzojmë atë. Kemi disa probleme mungesash megjithatë ata që do luajnë, do bëjnë më të mirën e mundshme në mënyrë që të mos kthehemi pa pikë nga Laçi”- ka thënë ai.Vllaznia ka probleme mungesash ne kete ndeshje teksa ne dyshim eshte edhe sulmuesi Bushiç, një nga pikat më të forta të saj megjithatë trajneri Canaj thotë se përballë një kundërshtari të vështirë siç është Laçi duhet luftuar fort për të fituar çdo dyluftim në mënyrë që të merret një rezultat pozitiv. “Bushiç apo dhe ndonjë futbollist tjetër ende nuk dihet nëse do luajnë apo jo sepse stafi mjekësor po merret me ta. Për këtë arsye, do marrim me vete më shumë lojtarë. E rëndësishme është që ata të cilët do luajnë, të japin më të mirën në fushën e lojës, të luftojnë fort për të fituar çdo dyluftim ndaj kundërshtarit dhe nëse ndodh kjo, me siguri që kemi për të arritur objektivin tonë”- ka thënë Canaj.Ndeshja Laçi- Vllaznia do të luhet të dielën në orën 13.30 në stadiumin e qytetit të Laçit dhe është e fundit për këtë vit prandaj dhe stafi drejtues i skuadrës shkodrane bashkë me futbollistët duket i angazhuar maksimalisht për të marrë një rezultat pozitiv në të.

© vllaznia.al