Canaj: Shpresoj shumë që në Krujë të na dalë në dritë goli

238

Trajneri i Vllaznisë Agim Canaj është i bindur se në ndeshjen e nesërme me Kastriotin që do të luhet në orën 14.00 në Krujë, skuadra e tij do të dalë patjetër tek goli. Të paktën kështu shpreson duke u ndalur gjerë e gjatë dhe duke analizuar atë se çfarë ndodhi në dy ndeshjet e kaluara me Teutën dhe Flamurtarin. “Si trajner nuk më kishte ndodhur ndonjëherë që të shikoja skuadrën time të humbte aq shumë raste sa ç’ humbëm ndaj Teutës dhe Flamurtarit. Shpresoj që gjërat të ndryshojnë me Kastriotin. Për ne është një takim shumë i rëndësishëm ku patjetër na kërkohet të marrim pikë për t’iu larguar zonës së ftohtë ku ndodhemi sepse kampionati po bëhet gjithnjë e më i vështirë prandaj duhet të grumbullojmë sa më shumë pikë”- ka thënë ai. Kuqeblutë kanë zhvilluar paradreke seancën e fundit stërvitore në fushën “Reshit Rusi” ndërsa në orët e para të pasdites janë nisur drejt Laçit teksa aty do kalojnë natën pikërisht në hotel “Univers”, në pritje të takimit të nesërm me Kastriotin. Me ekipin kanë udhëtuar të gjithë futbollistët me përjashtim të Seminës që është lënë i lirë tashmë nga drejtuesit e klubit. Shpresat janë të mëdha në marrjen e një rezultati pozitiv sepse loja e skuadrës në takimet e fundit ka ngjallur besim për këtë. Në Krujë për të mbështetur ekipin pritet të jenë edhe një grup tifozësh shkodranë.
© vllaznia.al