Cungu: Suksesi ndaj Skënderbeut shkon për tifozët, për gjithë Shkodrën

207

Suksesi i sotëm ndaj Skënderbeut nuk duhet ta bëjë Vllazninë “të fluturojë” por duhet të qëndrojmë “me këmbë në tokë”. Kjo është deklarata e bërë nga trajneri Armando Cungu pas ndeshjes së fituar me rezultatin 1-0. “Normalisht, besoj se debutimi është pozitiv, kjo jo vetëm për mua por besoj për të gjithë ekipin. Megjithatë kemi një gjysëm sezoni të mbetur kështu që kemi jashtëzakonisht shumë punë dhe rrugë për të bërë. Gjithësi përgëzoj djemtë në radhë të parë për këtë ndeshje, për shpirtin e garës, për vështirësitë, dëshirën për fitore, dhe në fund të fundit për mentalitetin, tashmë të rikthyer fitues që ne mund t’ia dalim, ne mund të fitojmë dhe kundër çdo ekipi. Njëkohësisht, një falenderim i veçantë edhe për tifozët e Shkodrës, të cilët ishin të shumë sot, por pretendoj dhe i bëj ftesë që të vazhdojnë të jenë edhe më të shumtë, sepse kemi nevojë edhe për to”- është shprehur ai. Ndërkohë, i pyetur se kush ishte arma më e fortë e Vllaznisë në këtë sukses, Cungu është përgjigjur: “Unë mendoj që në përgjithësi ekipi luajti kompakt, u munduam të korigjonim sadopak disa defekte të cilat i shfaqëm edhe në ndeshjet e Kupës përpara gjashtë ditëve, si në aspektin mbrojtës dhe sidomos atë sulmues, ku duhej ta godisnim kundërshtarin në ato momente kur mund ta gjenim të hapur, pra kur ishte në organizim dhe të humbiste topin në gjysëmfushëm tonë, atëhere duhej ta godisnim me shpejtësi. Tentuam ta bënim dy herë edhe në pjesen e parë, një herë me Çinarin që nuk e di, ishte ofsajt apo jo dhe një herë tjetër edhe me Shtubinën, por nuk ia arritëm, por në fund të fundit të treten herë, e treta e verteta doli me sukses”. Në fundin e takimit tifozët kanë brohoritur në kor emrin e tij duke e konsideruar si pikën kyçe të këtij suksesi të Vllaznisë, por vetë trajneri nuk ka dëshirë ta marrë meritën të gjithën për vete prandaj shton: “Unë i falenderoj shumë tifozët e Shkodrës, normalisht që unë i kam pasë për zemër gjithmonë, këtë e them me sinqeritetin më të madh. Kanë brohoritur edhe kur kemi qenë sportistë unë dhe gjithë shokët e mi, megjithatë ky nuk është suksesi i Armando Cungut, është krejtësisht suksesi i klubit Vllaznia dhe i Shkodrës tonë, kështu që ia dedikoj të gjithëve atyre”. I pyetur sesa do të ndikojë kjo fitore tek vazhdimësia, është përgjigjur: “Në radhë të parë përgjegjësinë e kemi pasur që në ditën e parë që duhet të bëjmë një punë ndryshe prej dy fazave të para të kampionatit. Po, njëkohësisht më shumë se përgjegjësi na jep një moral jashtëzakonisht të madh për vazhdimësinë. Pra jemi një ekip që mundim çdo kundërshtar nëse jemi solid dhe serioz siç ishim sot”.
© vllaznia.al