Cungu: Vllaznia duhet të fitojë patjetër ndaj Laçit

269

Të hënën në orën 14.00 në “Reshit Rusi” do të luhet ndeshja e javës së shtatë të superligës, ajo në mes Vllaznisë dhe Laçit. Trajneri Armando Cungu në konferencën e shtypit në këtë pragndeshje, ka vlerësuar ekipin kundërshtar, që në fakt e ka drejtuar deri para 10 muajsh.Megjithatë thotë se Laçi aktual me përjashtim të drejtuesve nuk ka asgjë të përbashkët me Laçin që ai ka drejtuar dhe prandaj duhet bërë shumë kujdes ndaj këtij kundërshtari.

“Në fakt, unë nga Laçi i sezonit të kaluar njoh vetëm drejtuesit sepse përbërja e skuadrës ka ndryshuar tërësisht.Kanë ardhur lojtarë të rinj por që gjithsesi, marrin të njëjtën mbështetje dhe injektim nga drejtuesit e klubit, për të luajtur ashtu siç di të luajë kjo skuadër dhe ju siguroj që ndaj nesh, kanë për të dhënë maksimumin e tyre për të marrë pikë. Këtë e kemi të qartë dhe prandaj po e përgatisim shumë seriozisht këtë sfidë sepse na duhen edhe ne shumë këto tre pikë”- ka thënë numri 1 i pankinës shkodrane.Objektivi I kuqebluve sigurisht që edhe në takimin e rradhës është fitorja. Skuadra duket më e plotë sa I takon përbërjes por sipas Cungut, çdo kundërshtar duhet vlerësuar dhe me ndihmën e tifozëve, do të synohet fitorja. Këtë herë jemi më të plotë, nuk kemi lojtarë të skualifikuar por vetëm disa probleme me dëmtime lojtarësh megjithatë ky nuk duhet të jetë justifikim sepse duhet ta fitojmë me çdo kusht këtë takim. Kampionati është shumë i fortë dhe kjo po shihet në çdo ndeshje të deritanishme. Jo më kot, nuk e quajta dështim as barazimin me Luftëtarin sepse edhe kjo skuadër ka po aq pikë sa ne në renditje. Kampionati është i tillë që me një trepikësh ngjitesh menjëherë në vendin e tretë dhe po ashtu, me një humbje zbret në fund. Prandaj duhet të bëjmë shumë kujdes. Shpresoj shumë që të kemi edhe mbështetjen e tifozëve tanë, të cilët mund të jenë të zhgënjyer që nuk luajmë në “Loro Boriçi” por kjo nuk varet nga ne. E rëndësishme është që ata të mbushin shkallët e fushës “Reshit Rusi” dhe të na ndihmojnë për të arritur fitoren e rradhës”-ka thënë Cungu për gazetarët.Vllaznia ka një kalendar të favorshëm këto dy javë, shoqëruar me zhvillimin e dy ndeshjeve Brenda në Shkodër, fillimisht me Laçin dhe më pas me Teutën dhe natyrisht që kjo gjë duhet shfrytëzuar për të krijuar shkëputjen me këto ekipe në renditje.

© vllaznia.al