Disiplina pezullon me nga dy ndeshje Grimën dhe Canajn

247

Vllaznia vazhdon të jetë në “syrin” e anëtarëve të Komisionit të Disiplinës. Pas dënimit të dhënë për ndeshjen me Skënderbeun, ky komision sot ka dhënë të tjera vendime kundër drejtuesve të tij. Kështu, drejtori sportiv Armir Grima dhe trajneri Agim Canaj janë pezulluar me nga dy ndeshje secili për të mos qenë pranë skuadrës. Një vendim i tillë është marrë për shkak të ofendimeve që i kanë bërë zyrtarëve të ndeshjes në takimin e fundit me Bylisin.

Të paktën nga sa thuhet në vendimin e zbardhur të këtij komisioni, anëtarët e tij i janë referuar nenit 56, pika 1 e Kodit të Disiplinës Sportive. Një dënim i tillë duket i rëndë nisur nga ajo çfarë ka prodhur fusha e lojës. Vërtetë shkodranët nuk arritën të marrin më shumë sesa barazimi 1-1 në këtë ndeshje edhe ngaqë luajtën dobët, por në të gjitha mediat u konstatua një tjetër 11-metërsh që nuk iu dha Vllaznisë për pengimin e Hajdarit në zonë. Grima e Canaj mund të kenë ngritur zërin ndaj gjyqtarit por këtu është vërtetë një problem i madh. Nëse nuk e ngre zërin, e ke të qartë se do të të presë ndëshkimi i gjyqtarëve. Nëse e ngre, sërish gjyqtarët të ndëshkojnë por të vjen edhe dënimi nga Komisioni i Disiplinës. Klubi i Futbollit Vllaznia sigurisht që nuk është dakord me dënimet e fundit për Grimën dhe Canajn dhe me siguri që ditën e nesërme do të ketë një reagim zyrtar në lidhje me këtë çështje. Klubi në fakt ditën e hënë bëri edhe një deklaratë për shtyp në lidhje me gjykimin e ndeshjes së fundit por askush nuk e ka marrë për bazë mesa duket atë.
© vllaznia.al