Drejtori Zeka: Vllaznia është më mirë se Teuta në çdo aspekt

212

Gabimi i bërë në ndeshjen e kaluar me Laçin është analizuar dhe duhet lënë pas dhe tashmë jemi të fokusuar tek takimi i rradhës, ai me Teutën. Një skuadër për të cilën kemi respekt, por duhet të them se jemi më lart sesa ajo në çdo drejtim dhe prandaj Vllaznia duhet ta fitojë këtë ndeshje me çdo kusht. Kështu ka deklaruar drejtori sportiv i klubit shkodran Eugent Zeka, në konferencën e sotme për shtyp. Ndryshe nga herët e tjera kur një ditë para ndeshjes së rradhës, ka dalë trajneri Cungu para gazetarëve, këtë herë ka qenë rradha e drejtorit për ta bërë një gjë të tillë, duke iu përgjigjur edhe pyetjeve të bëra prej tyre.
-Zoti Zeka, si duket gjendja e skuadrës së Vllaznisë një ditë para ndeshjes me Teutën?
-Gjendja e skuadrës duket e mirë. Çdo gjë është nën kontroll nga ana e stafit teknik dhe shpresojmë e urojmë më të mirën për të.
-A është kaluar momenti i keq që erdhi në ndeshjen e fundit?
-Në fakt, nuk kemi dëshirë të merremi fare me atë çfarë kaloi por po punojmë të shohim vetëm përpara dhe të kalojmë vetëm momente të mira me nesër e prapa.
-Çfarë u tha në analizën e zhvilluar për situatën e krijuar së fundi shoqëruar me katër ndeshje pa fitore?
-Ka qenë një analizë normale, si çdo analizë tjetër që bëjmë tek skuadra për të parë gabimet që kemi bërë dhe për t’i përmirësuar ato.
-A besoni tek fitorja nesër ndaj Teutës?
-Detyrimisht që po.
-Meqë vini nga një eksperiencë e gjatë në Itali, a mund të na shpjegoni cili është problemi i Vllaznisë? Ka ndonjë problem të brendshëm apo nga jashtë?
-Kam fatin të them se problemet tona janë vetëm me punën dhe prandaj duhet t’i përkushtohemi punës. Jemi profesionistë dhe jemi këtu për të punuar vetëm me profesionin tonë të futbollit.
Si profesionist që jeni, ku ka çaluar loja e Vllaznisë, pse kanë ardhur këto rezultate?
-Unë shpresoj që këto rezultate të mos jenë pasqyra e vlerës reale të ekipit tonë, për arsye se, kemi më shumë mundësi, jo vetëm në rezultate por edhe në lojë që t’i demostrojmë në fushë si ekip. Nuk na mungon asgjë për ta bërë këtë.
Po deri tani çfarë ka çaluar?
-Vetëm mungesa e rezultateve sepse sot po të kishim patur më shumë pikë në renditje, nuk do t’i kishit bërë këto pyetje.
-Një ish- futbollist i Vllaznisë, vajushi, ka thënë akuzuar rëndë drejtuesit e klubit. Keni një përgjigje për të?
-Respektin dhe vlerësimi që kam për ish- lojtarin e Vllaznisë dhe të kombëtares shqiptare Armando Vajushi, nuk më bën mua që të komunikoj me të përmes gazetave.Kur të shihem me të, do të komunikoj dhe me shumë dëshirë do të pij një kafe me të dhe do i shpjegoj që Vllaznia për
sa i përket drejtuesve nuk ka gabime por ka vetëm dhunti.
-Tifozët kanë bërë thirrje për braktisjen e “Reshit Rusi” nesër dhe të lënë në shkallët e tij vetëm drejtuesit. Kjo në shenjë proteste. Çdo të thotë për klubin kjo gjë?
-Jo vetëm sot, por edhe të shkuarën, edhe në të ardhmen, do respektoj tifozët. Çdo reagim i tyre, është stimul për ne. Na takon neve që fishkëllimat apo çdo protestë të tyre, t’i kthejmë në duartrokitje.
-Si ndjehet Zeka tashmë si drejtues i klubit shkodran?
-Ndjehem shumë mirë sepse jam në atë klub që kam ëndërruar të jem gjithë jetën time, të jem në familjen time që është Vllaznia, të jem në shtëpinë time që është Shkodra.
-Besoni në një rikthim të shpejtë të Vllaznisë në stabilitet sa i takon rezultateve?
-Besoj shumë se në një të ardhme të afërt, Vllaznia të rikthehet në stabilitet si sa i takon rezultateve por edhe lojës dhe në një të ardhme ndoshta, shumëmujore apo vjeçare, të sjellim edhe trofe në Shkodër. Jam shumë optimist për këtë.
-Për t’u rikthyer tek Teuta, një vlerësim për këtë kundërshtar të nesërm?
-Po ta shohim në teori, është nën nivelin e Vllaznisë. Ne jemi superiorë ndaj kundërshtarit në çdo aspekt. Shpresoj që futbollistët përveç lojës së mirë, të kenë edhe shpirtin e garës për fitore. Kontigjenti i lojtarëve në dispozicion të trajnerit është i plotë për këtë ndeshje dhe kjo është diçka pozitive për të, për të hedhur në fushë lojtarët që gëzojnë formë më të mirë.

© vllaznia.al