Ekipet e Akademisë Vllaznia dy fitore në javën e 5-të të kampionatit

62

Me dy fitore i kanë mbyllur ndeshjet e javës së pestë të kampionatit ekipet e Akademisë Vllaznia. Ato kanë patur përballë në “Reshit Rusi” ekipet respektive të Akademisë së Futbollit. Këto ndeshje janë luajtur dy ditë më herët nga sa ishte parashikuar në kalendar ngaqë siç dihet në fillim të javës tjetër ekipi U-19 i klubit shkodran udhëton drejt Kazakistanit për të zhvilluar ndeshjen e parë të “Uefa Youth League”. Në ndeshjet e djeshme, Vllaznia U-17 ka arritur një fitore në shifrat 5-3 ndaj kundërshtarit. Autorë të golave për ekipin shkodran kanë qenë Sufaj, Qerpiku, Pusi dhe dy gola të tjerë mbajnë firmën e Bizit. Me këtë fitore, ekipi shkodran është ngjitur në kuotën e 9 pikëve duke mbajtur vendin e tretë në renditje. Me fitore e ka mbyllur takimin edhe Vllaznia U-19.Rezultati ka qenë i barabartë deri në minutën e 70-të kur Ndreca ka zhbllokuar shifrat dhe më pas do të vinin tre gola njëri pas tjetrit që kanë patur për autorë Qardakun, Ndrecën sërish dhe Lisajn. Kuqeblutë e trajnerit Zmijani janë ngjitur në kuotën e 12 pikëve pas kësaj jave duke mbajtur vendin e dytë në renditje.

© vllaznia.al