Ekipet e Akademisë Vllaznia fitore të thella në javën e tretë

273

Dy fitore, dymbëdhjetë gola të shënuar dhe vetëm një I pësuar. Këto janë shifrat e ndeshjeve të javës së tretë të kampionatit të moshave për ekipet e Akademisë Vllaznia. 17 vjeçarët kanë fituar me rezultatin e thellë 6-0 ndaj Brians ndërsa 19 vjeçarët 6-1 ndaj Ilirisë. Dy fitore këto që tregojnë se ecuria e ekipeve shkodrane edhe këtë kampionat do të jetë shumë e mirë dhe ato do të jenë protagonist të tyre. Takimi I parë I luajtur ka qenë ai I 17 vjeçarëve. Pjesa e parë është mbyllur me shifrat 1-0 me golin e shënuar nga Sufaj. Pjesa e dytë do të ishte krejt ndryshe sepse do të kishte goleadë. Paloka do të ishte protagonist kryesor sepse do të shënonte tre gola ndërkohë që dy të tjerët kanë patur për autorë Tinajn dhe Qerpikun. Përfundimisht 6-0 për Vllaznia U-17 e cila ka arritur kësisoj një tjetër fitore të thellë në kampionat, pas asaj të javës së kaluar. Në fakt, Vllaznia U17 nuk e nisi mirë kampionatin teksa humbi në ndeshjen e parë në Shkodër 3-4 ndaj Shkëndisë ndërkohë që në javën e dytë fitoi 4-0 në Tiranë ndaj Internacional. Ndërkohë fitorja e sotme 6-0 ndaj Brians është një tjetër tregues se ky ekip do të bëjë gjëra të mira edhe këtë kampionat. Pas këtij takimi në fushë kanë zbritur 19 vjeçarët e Vllaznisë dhe të Ilirisë së Fushë- Krujës. Edhe në këtë përballje nuk ka patur shumë histori. Kuqeblutë e trajnerit Zmijani kanë shënuar brenda 12 minutave tre gola, me autorë Rrasën, Ndrecën dhe Qardakun. Pjesa e parë do të mbyllej me shifrat 3-0. Epërsia do të thellohej edhe më shumë në pjesën e dytë. Do të shënoheshin edhe tre gola të tjerë me autorë Kovaçin, Shimajn dhe Qardakun. Kur u duk se edhe kjo ndeshje do mbyllej me shifrat 6-0, miqtë kanë shënuar në minutën e 92-të të vetmin gol të tyre.

© vllaznia.al