Florind Bardulla e Arsid Kruja thirren në kombëtaren U-21

113

Dy futbollistë të ekipit të Vllaznisë janë thirrur në kombëtaren U-21 për ndeshjen e rradhës eliminatore të Kampionatit Europian. Bëhet fjalë për Florind Bardullën dhe Arsid Krujën. Ftesa në fjalë ka mbërritur nga zyrat e FSHF-së në klubin shkodran dhe në të thuhet se të dy këta futbollistë duhet të jenë në dispozicion të trajnerit Skënder Gega me datën 11 tetor në ora 11.00. Natyrisht që një ftesë e tillë është vlerësim për këta dy futbollistë. Ata po luajnë rregullisht me skuadrën tonë. Bardulla tashmë po bën sezonin e tij të dytë në rradhët e kësaj skuadre ndërkohë që zbulimi i vërtetë është Kruja. Ai ka bërë një paraqitje të mirë në të gjitha ndeshjet e deritanishme të kampionatit duke bindur të gjithë. Të dy këta futbollistë luajnë në repartin e mesfushës dhe pritet të jenë të dobishëm edhe për trajnerin Gega me kombëtaren U-21. Por nëse janë ftuar të dy këta futbollistë, mbase një ftesë e tillë duhej të kishte ardhur edhe për Bekim Demën, një tjetër futbollist me shumë të ardhme dhe që ka fituar besimin e trajnerit Agim Canaj.
© vllaznia.al