Formacioni, Ervis Kraja mund ta nis nga minuta e parë ndaj të kuqve

245

Mungesat e Rajoviç dhe Beqirit në qendër të mbrojtes, e kanë detyruar trajnerin Canaj të mendojë për një zgjidhje në këtë pikë delikate të skuadrës. Ai do të aktivizojë për herë të parë gjatë këtij sezoni në rolin e mbrojtësit të qendrës, shtatëlartin Ervis Kraja. Të paktën kështu është dukur sot në seancën e fundit stërvitore që skuadra ka zhvilluar në fushën sportive të Shtojit. Megjithatë kjo nuk është përfundimtare sepse do jetë trajneri bashkë me stafin e tij që do të përzgjedhin 11-shen me të cilën do të përballen me Partizanin të shtunën në orën 17.00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Të paktën nga sa është parë në stërvitjen e sotme, në portë kuptohet që do jetë sërish Vujadinoviç ndërsa në mbrojtje do të luajnë Gocaj në të djathtë, Kraja e Sykaj në qendër dhe Boci në të majtë. Nuk do ndryshojë asgjë në pjesën e përparme teksa treshja e mesfushës do jetë e përbërë nga Belisha, Tafili e Bardulla, para tyre do luajnë Shtubina e Hajdari ndërsa në majë të sulmit kroati Bushiç. Me këtë formacion, kuqeblutë do të tentojnë fitoren ndaj skuadrës së kuqe. Me një trepikësh të tillë skuadra jonë do të kalonte Partizanin në renditje dhe do të tentonte të mos shkëputej nga dy skuadrat e kreut, Skënderbeu dhe Teuta. Megjithatë nuk përjashtohet mundësia që deri para fillimit të ndeshjes, Canaj të vendosë për të ndryshuar ndonjë gjë.
© vllaznia.al