FSHF shtyn një javë nisjen e kampionateve kombëtare të moshave

236

Kampionatet kombëtare të futbollit për moshat, pikërisht ato të Superligës për U-17 dhe U-19, duhej të kishin nisur këtë të dielë por nuk ka ndodhur kështu. Arsyeja është se Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur për shtyrjen e këtyre kampionateve për një javë. Ka ndodhur kështu sepse disa prej ekipeve pjesmarrës, natyrisht jo ekipet e Vllaznisë, nuk kanë paguar detyrimet financiare për këtë pjesmarrje në numrin e llogarisë së FSHF-së dhe kjo e fundit pikërisht për këtë arsye, ka vendosur të mos i pranojë në kampionat. Natyrisht që këtyre ekipeve u është dhënë një javë kohë afat për ta bërë këtë gjë dhe më pas kampionatet do nisin. Kjo shtyrje natyrisht që ka prishur disi planet e ekipeve të Vllaznisë të cilat ishin bërë gati për të luajtur ndeshjet e para. Sipas kalendarit, ato kanë qenë të planifikuar të luhen me ekipet e Teutës paraditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi”. Për këtë arsye, këto ndeshje do të luhen të dielën e ardhshme. Siç dihet, dy ekipet shkodrane janë kampione në fuqi të vendit dhe do kërkojnë që edhe në sezonin e ri t’i ruajnë këto tituj pavarësisht ndryshimit në përbërje dhe në drejtim. Vllaznia U-19 siç është bërë e ditur, këtë sezon do të drejtohet nga trajneri Samuel Nikaj që do të ketë përkrah Ideal Lekiqin ndërsa Vllaznia U-17 drejtohet nga Alban Volumi dhe David Lleshi. Në përbërje të këtyre ekipeve ka lojtarë cilësorë dhe natyrisht që objektivi i këtyre ekipeve përveçse për të triumfuar ndaj kundërshtarëve, është për rritjen profesionale të këtyre sportistëve të rinj që nesër a pasnesër, ata të jenë të gatshëm për ekipin e parë.

www.vllaznia.al