Hidhet shorti i kampionatit të femrave. Vllaznia sërish pretendente

219

Paraditen e sotme në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit është hedhur shorti i kampionatit të femrave, kampionat ky që do të startojë në javën e parë të nëntorit. Ndonëse u mendua të fillonte që këta javë, duket se disa probleme proceduriale të rregjistrimit të ekipeve e kanë shtyrë nisjen për një javë më vonë.Në këtë kampionat ndryshe nga një sezon më parë, do të ketë më pak skuadra. Pjesmarrëse këtë herë do të jenë 10 ngaqë Kukësi dhe Elbasani nuk do të marrin pjesë ndërkohë që dy skuadra të tjera kanë ndërruar emrat, ajo e Bilisht Sport këtë sezon do të përfaqësohet me emrin e Skënderbeut ndërsa e Shkëndisë së Durrësit do të luajë me emrin Teuta. Në ambjentet e Federatës sot nuk kanë qenë të pranishëm as gjysma e përfaqësuesve të ekipeve pjesmarrëse megjithatë shorti është hedhur dhe në bazë të goglave, në javën e parë do të ndeshen këto çifte:

Tirana AS- Juban Danja
Dajti- Vllaznia
Teuta- Skënderbeu
Kinostudio- AAS
Apolonia- The Door

Ky do të jetë kampionati i shtatë kombëtar i futbollit të femrave në vendin tonë kur kujtojmë që kampionati i parë është fituar nga Tirana AS, pastaj tre rradhazi janë fituar nga Ada e Velipojës, ekip që më pas u shndërruar në Vllaznia dhe me këtë emër ka fituar edhe dy tituj të tjerë kampionë. Vllaznia në fakt edhe në sezonin e ri e nis si pretendentja kryesore për fitoren e një tjetër titulli, ngaqë në rradhët e saj ka thuajse gjysmën e vajzave të ekipit kombëtar. Presidenti Lazer Matija dhe trajneri Nikolin Leka kanë ndërtuar një ekip të fortë që do të kërkojë t’i sfidojë të gjithë kundërshtarët ndërkohë që rivalët kryesorë të saj pritet të jenë të zakonshmet, Tirana AS, Juban Danja dhe Kinostudio. Me interes pritet pjesmarrja e ekipit të Skënderbeut dhe vetëm pas pak javësh do të ketë një konkluzion nëse ky ekip do të jetë pretendent apo jo.

© vllaznia.al