Kalaja: Vllaznia nuk do të dalë pa pikë edhe nga Ballshi

257

Në ndeshjet e fundit ka qenë protagonist me Vllazninë. Arlind Kalaja, mesfushori 20 vjeçar i kuqebluve kuptohet që nuk është në formën e tij më të mirë megjithatë premton se shumë shpejt do ta arrijë atë. Ai flet edhe për përballjen e fundit me Tiranën për të cilën thotë:”Ashtu siç shkuan gjërat, jemi të kënaqur me barazimin e marrë. Jo se na rregullon shumë gjëra në renditje por të paktën ruajmë serinë e ndeshjeve pozitive. Në pjesën e parë nuk luajtëm aspak mirë dhe nuk jam në gjendje të shpjegoj pse ndodhi ashtu ndërsa në pjesën e dytë rregulluam shumë gjëra dhe ndoshta me pak fat nëse shtylla e Krymit do të ishte gol, edhe mund ta kishim fituar këtë takim”. Ndërkohë duke folur për takimin e kësaj fundjave me Bylisin, Kalaja do të shtonte:”Ky është një tjetër takim i vështirë. Bylis pavarësisht renditjes, ka një ekip të mirë dhe do të kërkojë fitoren por ju garantoj se ne nuk kthehemi pa pikë nga Ballshi. Jemi një skuadër që e ka nisur kampionatin me disa probleme sa i takon mungesës së rezultateve por me ardhjen e stafit të ri gjërat morën për mirë sepse Grima e stafi i tij punuan shumë në aspektin psikologjik me ne. Kemi arritur tre rezultate pozitive në tre ndeshjet e fundit dhe këtë pathyeshmëri do ta vazhdojmë edhe këtë javë. Vërtetë ndoshta nuk jemi ekip për të qenë në majë të renditjes por nuk jemi ekip as për të rënë nga kategoria”.Kalaja luan në të djathtë të mesfushës por shpeshherë ndërron krahun me kapitenin Shtubina. Ai është munduar të japë maksimumin në çdo ndeshje që ka luajtur por nuk është ende në formën e tij më të mirë sepse vjen pas një pauze gjashtëmujore si shkak i operacionit të ligamenteve. “E kam të qartë se më duhet ende punë. Periudha e operacionit dhe rikuperimit ka ndikuar jo pak në formën time por kam punuar shumë për të kapur ritmin. E kam të qartë edhe vetë se më duhet ende kohë por me profesor Grimën kemi rënë dakord të luajmë sepse kam nevojë për minuta aktivizimi sepse vetëm kështu mund të kthehem sërish në formën e duhur dhe kjo shpresojmë të vijë shumë shpejt”- ka thënë në fund të prononcimit të tij mesfushori i kuqebluve Arlind Kalaja.

© vllaznia.al