Klubi Vllaznia: Ja pse u tërhoqëm nga vazhdimi i kampionatit të minifutbollit

267

Vllaznia në minifutboll është tërhequr nga vazhdimi i mëtejshëm i kampionatit. Ekipi, futbollistët dhe stafi drejtues, kanë vendosur që të mos luajë më. Sipas tyre, arsyeja është se nuk janë paguar që nga muaji tetor.

Në fakt e vërteta është tjetër gjë për këtë tërheqje. Për këtë arsye po dalim me këtë deklaratë për shtyp për të sqaruar opinionin publik në lidhje me të vërtetën e ekipit të minifutbollit:
Deklaratë për shtyp
Klubi i Futbollit Vllaznia ka qenë dakord për pjesmarrjen e ekipit të tij në kampionatin e minifutbollit duke firmosur edhe kontratat përkatëse me secilin pjestar të tij më datë 23 tetor 2013. Për t’u sqaruar është se në secilin prej këtyre kontratave, të firmosur me vetëdije të plotë nga futbollistët dhe trajneri, nuk ka të parashikuar asnjë shpërblim financiar. Megjithatë ne ishim të vetëdijshëm se në rast se do kishim mundësi financiare, do t’i paguanim. Për këtë arsye, edhe në buxhetin që kemi dërguar në Këshillin Bashkiak për miratim, ka qenë një fond i planifikuar edhe për minifutbollin. Megjithatë “rrudhja” e buxhetit të klubit tonë për vitin 2014, sigurisht që nuk lë shumë hapësirë për financim të këtij ekipi e megjithatë ne u kemi garantuar pjestarëve të tij mbulimin e të gjithë shpenzimeve të udhëtimit për vazhdimin e kampionatit si dhe kushte të tjera të domosdoshme, duke parë mundësinë edhe të ndonjë pagese në muajt në vazhdim. Megjithatë futbollistët duket se ishin të vendosur për të mos e vazhduar kampionatin dhe për këtë arsye, ditën e shtunë më datë 15 shkurt 2013, kemi njoftuar FSHF-në për tërheqjen nga kampionati. Kjo është e gjithë vërteta në këtë mes dhe jo ajo që mund të aludohet. Sqarojmë gjithashtu se ekipi i minifutbollit që në fillim është ndërtuar duke u bazuar edhe tek investime të disa donatorëve që kanë mbajtur edhe postin honorifik të presidentit të tij megjithatë kohët e fundit këto donatorë nuk kanë qenë pranë ekipit prandaj dhe gjërat kanë shkuar në këtë mënyrë megjithatë, për ta mbyllur, Klubi i Futbollit Vllaznia e theksojmë se ka bërë më të mirën e mundshme që ekipi ta vazhdonte kampionatin deri në fund.

© vllaznia.al