Klubi Vllaznia merr masa ndaj skuadrës për paraqitjet e fundit

206

Drejtuesit e lartë të klubit të futbollit Vllaznia kanë vendosur të marrin masën e parë ndëshkimore ndaj skuadrës për paraqitjet e fundit jo të mira, kulmuar me humbjen të dielën në Kavajë. Kështu, është vendosur që e gjitha skuadra të gjobitet me nga një gjysëm rrogë mujore. Vendimi është marrë nga drejtuesit më të lartë të klubit, në konsultim edhe me kryebashkiakun dhe njëkohësisht presidentin e Vllaznisë, z. Lorenc Luka. Ai i është bërë i ditur pasditen e sotme skuadrës pikërisht nga anëtari i bordit mbikëqyrës të shoqërisë aksionere Erogen Brajoviç dhe drejtori sportiv Armir Grima. “Pas shumë konsultash, kemi dalë në përfundimin se duhet të marrim një masë për disa nga paraqitjet e fundit që keni bërë duke filluar nga ndeshja me Kastriotin që ndoshta u fitua me fat me atë gol të minutave shtesë, për të vazhduar me barazimin ndaj Bylisit po në Shkodër, të cilin ne e konsiderojmë humbje dhe për ta mbyllur me ndeshjen e fundit në Kavajë që në asnjë mënyrë nuk duhej ta kishit humbur. Ashtu siç ju jemi gjendur pranë me plotësimin e të gjitha kushteve si me rrogat ashtu edhe me premiot, duke bërë ndoshta më shumë sesa mundësitë tona, ashtu kemi dashur edhe impenjimin tuaj por kjo në disa raste nuk ka ndodhur. Prandaj dhe do gjobitemi secili prej jush me një gjysëm rroge mujore. Këto para nuk do të mbahen në arkën e klubit përgjithnjë. Nëse ju në pesë ndeshjet e mbetura deri në fund të këtij viti reflektoni dhe arrini rezultatet e duhura, sërish ato do ju kthehen në formë shpërblimi a në një tjetër. Përpos kësaj, kemi konstatuar se disa futbollistë nuk janë duke e justifikuar aspak të qënurit pjesë e Vllaznisë me paraqitjet që kanë bërë në disa ndeshje. Prandaj dhe këto pesë ndeshjet e ardhshme do jenë një test për secilin prej jush dhe nëse nuk tregoni tjetër gjë, në janar mund të ketë masa të tjera”- ka thënë dyshja Brajoviç- Grima. Para këtyre fjalëve, trajneri Canaj dhe skuadra kanë analizuar përmes pamjeve filmike të ndeshjes Besa- Vllaznia, gabimet e vërejtura duke u ndalur në përgjegjësitë e çdo futbollisti. Trajneri ka folur, ka kërkuar më shumë përgjegjshmëri nga secili prej futbollistëve. Kanë folur edhe disa nga këta të fundit, duke filluar nga kapiteni Beqiri, e me rradhë Belisha, Vujadinoviç, Kraja, Bushiç, Shtubina, Hajdari, Sykaj etj të cilët e kanë kuptuar atë se çfarë ka ndodhur dhe kanë premtuar se në të ardhmen do mundohen t’i rregullojnë sërish gjërat. Megjithatë për momentin atyre, pas vendimit të fundit të klubit, do t’u ndalet gjysma e rrogës mujore në shenjë reflektimi të ndryshimit të situatës.
© vllaznia.al