Kryebashkiaku Luka para skuadrës: Vlerësojeni fanellën e Vllaznisë!

205

Nisja e gjysmës së dytë të sezonit për ekipin e Vllaznisë ka bërë që kryebashkiaku i Shkodrës, njëkohësisht edhe presidenti i këtij klubi të futbollit, të takojë skuadrën dhe ta urojë atë për një ecuri të mbarë. Z. Lorenc Luka kishte zgjedhur paraditen e sotme për të qenë pranë futbollistëve dhe stafit drejtues. Ai ka mbërritur në ambjentet e stadiumit “Loro Boriçi”, i shoqëruar nga kryetari i Këshillit të Qarkut, z. Maxhid Cungu. Atë e ka pritur drejtori sportiv Armir Grima, e më pas trajneri Canaj e me rradhë të gjithë futbollistët. Takimi ka qenë brenda në dhomat e zhveshjes, pa praninë e gazetarëve. Në fjalën e tij para skuadrës, kryetari i Bashkisë z. Luka i ka falenderuar futbollistët për gjithçka kanë dhënë në gjysmën e parë të sezonit por njëkohësisht ka ngritur zërin për disa probleme të vogla të shfaqura gjatë rrugës. Ai nuk është ndalur më shumë tek këto probleme por u ka thënë futbollistëve se kanë mbi shpinë një përgjegjësi shumë të madhe për të përfaqësuar ashtu siç duhet fanellën e Vllaznisë, Shkodrën dhe shkodranët. “Keni një përgjegjësi të madhe mbi shpinë. Duhet ta justifikoni veshjen e fanellës së kësaj skuadre dhe kërkoj nga ana juaj të jeni sa më shumë të përgjegjshëm për këtë gjë. Nga ana jonë si Bashki keni patur dhe do keni mbështetjen maksimale për të gjitha problemet tuaja. Kemi qenë dhe do vazhdojmë të jemi korrekt në të gjithë detyrimet tona. Njëkohësisht në muajt në vazhdim, do punojmë për të gjetur ndonjë formë tjetër të funksionimit të klubit, në mënyrë që gjërat të shkojnë edhe më mirë për Vllazninë e ajo të jetë në nivelet që i takon. Sinjalet e para janë pozitive por nëse ecuria juaj gjatë kësaj periudhe është e mirë, mund të jetë një shtysë më tepër për biznesin për t’u ofruar pranë futbollit dhe kjo do të jetë edhe në të mirën tuaj”. Më pas ka folur edhe kryetari i Këshillit të Qarkut Shkodër, z. Maxhid Cungu që ka thënë: “Historia e Vllaznisë nuk është vetëm kjo e sotmja. Atë e kanë krijuar të parët tanë, brezi jonë dhe tashmë edhe ju. Prandaj duhet të luftoni e të punoni fort për ta nderuar edhe më shumë këtë emër. Ne po bëjmë çmos për afrimin e biznesmenëve për t’iu plotësuar edhe më mirë kushtet dhe sigurisht që duhet edhe nga ana juaj angazhim maksimal për ta nisur mbarë, pse jo që në ndeshjen e nesërme në Korçë”. Ka folur edhe trajneri Canaj që ka deklaruar se puna gjatë kësaj periudhe ka qenë e mirë dhe njëkohësisht ka falenderuar drejtuesit e lartë të klubit për qëndrimin shumë afër skuadrës në të gjithë rastet. Canaj ka premtuar se futbollistët që ai drejton, do bëjnë më të mirën e mundshme për të arritur objektivat që klubi ka vënë për këtë sezon. Pas këtyre fjalëve, kryebashkiaku Luka ka shtrënguar duart me të gjithë futbollistët por në veçanti me dy futbollistët e sapoardhur, malazezin Vukçeviç dhe serbin Nikoliç duke i uruar mirëseardhjen dhe duke i siguruar se do ndjehen mirë në Shkodër. Në këtë mënyrë, ndeshjet e vitit 2014 kanë nisur mbarë tek Vllaznia. Entuziasmi në rradhët e drejtuesve pritet të shoqërohet me të njëjtën gjë edhe tek skuadra në fushën e lojës.
© vllaznia.al