Kuqeblutë autokritikë dhe besim për rikthimin tek rezultatet pozitive

221

Kuqeblutë, ashtu siç ishte paralajmëruar, kanë vijuar edhe sot me analizën e ndeshjes së humbur ndaj Skënderbeut. Këtë herë, analiza ka qenë teorike, e shoqëruar me pamjet filmike të ndeshjes ndaj korçarëve. Trajneri Cungu për një orë rresht, u ka treguar futbollistëve të tij se ku kanë gabuar dhe natyrisht që vetë ata i kanë pranuar gabimet. I pranishëm përveç pjestarëve të stafit teknik, ka qenë edhe drejtori sportiv Zeka dhe të gjithë sëbashku kanë diskutuar për gabimet e bëra. Në fund për disa minuta, kanë folur edhe disa prej lojtarëve të ekipit që kanë dhënë argumentat e tyre megjithatë konkluzioni i diskutimeve të tyre ka qenë se “ajo çfarë ka ndodhur tashmë nuk kthehet më prapa dhe duhet të shohim përpara, për të arritur të tjera rezultate pozitive ashtu siç bëmë edhe në fillim të kampionatit”. Trajneri Cungu u ka shprehur edhe njëherë tjetër besimin e tij të plotë që ka tek këta futbollistë dhe jo më kot, në çdo deklaratë të bërë deri më tani, është shprehur i bindur se nuk ka frikë asnjë ekip. “Tani duhet të bëjmë shumë kujdes për ndeshjet e ardhshme. Tre takimet që vijmë njëri pas tjetrit, janë shumë të rëndësishme dhe duhet të synojmë të marrim maksimumin në to”- është shprehur ai. Pas kësaj seance, futbollistët janë shpëndarë nëpër banesat e tyre për t’u rikthyer sërish në stërvitje pasdite, për të zhvilluar seancën e rradhës.

© vllaznia.al