Matija: Vllaznia e femrave mendon për Europën jo për Kukësin

259

Skuadra që ai drejton dhe sponsorizon, prej më tepër se katër vitesh ende nuk e njeh shijen e humbjes. Statistika këto që ndoshta janë për “Guinnes”. Vllaznia për femra tani dhe Ada e mëparshme, kanë hyrë në të pestin sezon që nuk janë mundur nga askush. Thuajse janë të njëjtat vajza që nga fillimi e deri tani. Edhe presidenti, pikërisht Lazer Matija, njeriu i cili tashmë po bën maksimumin për këtë ekip. Natyrisht që ai “ngacmohet” kur lexon deklarata të kundërshtarëve që deklarojnë se do të fitojnë titullin kampion. Edhe dje, pasi ka lexuar një deklaratë të kapitenes së Kukësit- Koldashi që fliste me bindje të plotë për titullin kampion, presidenti i Vllaznisë, në fillim e ka marrë me të qeshur por më pas është bërë serioz. Duke folur në lidhje me këtë kundërshtar, Matija është shprehur: “Vllaznia ashtu si dhe një sezon më parë ka padyshim si objektiv fitimin e titullit kampion. Në garën për ta arritur këtë, unë shoh si rivalë ekipet e Kinostudios, The Door dhe Juban Danjës. Sa për ekipin e Kukësit, në fakt më vjen mirë që ata mendojnë se janë të aftë për t’u shpallur kampion, por ne si llogarisim të tillë. Vërtetë aktualisht ndodhen në vend të parë me golaverazh më të mirë se ne, por kanë arritur disa fitore të thella ndaj ekipeve që nuk janë organizuar ende ashtu si duhet dhe prandaj kukësinanet krenohen me këtë renditje aktuale dhe me golaverazhin që kanë. Por harrojnë se kampionati i vërtetë ende nuk ka filluar”. Vllaznia vjen pas një paraqitje shumë të mirë në Ligën Ballkanike ku ka qenë shumë pranë kalimit të grupit dhe natyrisht që kjo është për t’u evidentuar sepse tregon progresin që ky ekip po sjell në futbollin e femrave në Shqipëri. Presidenti Matija ka grumbulluar në rradhët e tij shumicën e vajzave të kombëtares shqiptare e ky është një tregues se sa vlera ka ky ekip. Prandaj, duke vazhduar të flasë në lidhje me kampionatin dhe ecurinë e mëtejshme të Vllaznisë, presidenti Matija do të shprehej: “Ekipi që ynë drejtoj, përveçse nuk njeh ende humbje prej më shumë se katër vitesh, ka treguar se është i denjë për të konkurruar edhe në Europë. Këtë qëllim kam unë. Po shpenzoj për të rritur cilësinë e këtij ekipi për t’u matur me kundërshtarë europianë. Sa i takon ekipeve të sapokrijuara dhe që ëndërrojë të fluturojnë shpejt, mendoj se këto ëndërra i bëjnë mirë por është herët për t’u matur me Vllazninë. Futbolli e ka një traditë, natyrisht edhe ai i femrave. Shkodra dhe Tirana janë qytetet e para që e kanë zhvilluar këtë lloj futbolli dhe për disa kohë, ata do të dominojnë. Se kush është Vllaznia e kush është Kukësi, nuk është nevoja ta themi nëpër gazeta. Do jetë fusha e lojës dhe përballjet direkte, ato që do flasin”. Bindja e këtij njeriu është e plotë se të dy trofetë edhe këtë sezon do vijnë në Shkodër. nuk është një besim i rastësishëm, por i vetëdijshëm për atë skuadër që ka ndërtuar e për të cilën ka shpenzuar jo pak. Natyrisht me objektivin jo vetëm për  t’u shpallur kampion i Shqipërisë por për t’u matur gradualisht edhe me Europën.

© vllaznia.al