Ndahet nga jeta në Gjermani ish- futbollisti i Vllaznisë Zamir Shpuza

221

Ka ndërruar jetë në mënyrë të papritur në Gjermani pak minuta më parë ish- futbollisti i Vllaznisë dhe i kombëtares shqiptare Zamir Shpuza. Ai ka pësuar ditët e fundit një hemoragji cerebrale dhe situata e tij nuk është përmirësuar pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve derisa ai ka mbyllur sytë përfundimisht. Natyrisht vdekja e tij është një humbje e madhe jo vetëm për familjen Shpuza por edhe për gjithë komunitetin e futbollit pasi Zamiri ka qenë një nga emrat e spikatur të tij në vitet ’90. E ka filluar karrierën tek Vllaznia dhe madje shumë shpejt do të ishte edhe pjesë e skuadrës së njohur malazeze Buduçnost të Podgoricës. Kthehet në Shkodër për t’u larguar në fillimin e dhjetorit të vitit 1992 drejt Gjermanisë bashkë me disa futbollistë të tjerë të Vllaznisë. Në këtë vend arrin të luajë deri në Bundesliga 2 duke treguar vlera dhe për rrjedhojë është thirrur edhe në kombëtaren shqiptare. Megjithatë e gjithë kjo karrierë sportive nuk ka mundur ta mbajë dot në jetë teksa sonte, në moshën 45 vjeçare na ka dhënë të gjithëve lamtumirën. Një ndarje shumë e parakohshme për të gjithë ne, në veçanti për familjen e tij e për të gjithë të tjerët. Klubi i Futbollit Vllaznia me këtë rast i shpreh ngushëllimet më të sinqerta pjestarëve të kësaj familje për humbjen e njeriut të tyre të dashur. Pushofsh në paqe Zamir Shpuza!

© vllaznia.al