Ndryshon orari dhe vendi, Partizani- Vllaznia luhet në 17.00 dhe në “Qemal Stafa”

224

Ka ndryshuar gjithçka sa i takon orarit dhe vendit të zhvillimit të ndeshjes së kësaj jave në mes Partizanit dhe Vllaznisë. Deri ditën e djeshme vetë FSHF kishte lajmëruar se ndeshja do të luhej ditën e shtunë në orën 14.00 në stadiumin Selman Stërmasi” por në fakt gjërat kanë ndryshuar sot. Ndeshja në mes këtyre dy skuadrave merret vesh se do të luhet ditën e shtunë por në orën 17.00 dhe po ashtu ka ndryshuar edhe vendi, teksa do të luhet në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. Kështu bëhet e ditur nga ky institucion. Duket se drejtuesit e klubit të kuq kanë arritur akordin me ata të stadiumit dhe më pas edhe të FSHF-së për ta spostuar këtë takim të rëndësishëm. Ata kanë kërkuar që ai të luhet nën dritat e projektorëve për të mbledhur sa më shumë tifozë në shkallët e stadiumit. Dy skuadrat ndodhen shumë pranë njëra- tjetrës në renditje dhe Partizani aktualisht mban vendin e tretë me 14 pikë ndërsa Vllaznia të katërtin me një pikë më pak. Skuadra jonë natyrisht që do të kërkojë fitoren pavarësisht se do të luajë në transfertë. Ajo ka treguar se di të luajë bukur futboll madje edhe të marrë pikë edhe në takime të rëndësishme. Të shpresojmë se do të ndodhë kështu edhe këtë të shtunë.
© vllaznia.al