Nesër nis kampionati i femrave. Merr pjesë edhe Vllaznia

295

Do të startojë nesër (e shtunë) kampionati i pestë kombëtar i futbollit në vendin tonë. E veçanta e këtij kampionati është se për herë të parë merr pjesë edhe ekipi i Vllaznisë. Ka qenë dëshira e drejtuesve të Bashkisë Shkodër dhe e klubit të futbollit Vllaznia për ngritjen e këtij ekipi, ajo që ka bërë të gjendet gjuha e përbashkët me pasionantin e madh të futbollit, Lazër Matija. Ky i fundit siç dihet, ka ngritur ekipin e futbollit të femrave të Adës me të cilin në tre kampionate që ka marrë pjesë, ka fituar pesë trofe. Por kohët e fundit, ai ka patur mosmarrëveshje me drejtuesit e Komunës Velipojë dhe në një situatë të tillë, ka vendosur që ta transferojë ekipin tek klubi Vllaznia.

Do të jetë e njëjta përbërje lojtarësh, do të jetë i njëjti staf drejtues që ka përfaqësuar më parë Adën kampione, që do të përfaqësojë tani e tutje Vllazninë. Kjo duket diçka pozitive sepse tashmë për klubin shkodran vjen një ekip kampion dhe që premton të tjerë trofe. Kampionati i ri do të nisë pra nesër dhe Vllaznia ndeshjen e parë do ta luajë në fushën e vet me ekipin e Kamzës. Interesant është fakti se grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras” ka premtuar se do të jetë përkrah këtij ekip në çdo ndeshje që ai do luajë. Nuk na mbetet gjë tjetër vecse t’i urojmë suksese këtij ekipi në kampionatin e ri.
www.vllaznia.al