Agim Canaj: Në rrugën e duhur por duhet të përmirësohemi ende

125

Trajneri I kuqebluve Agim Canaj është shprehur përgjithësisht I kënaqur me lojën e zhvilluar nga ekipi I tij në miqësoren e djeshme me Besën. Pavarësisht fitores së pastër 3-0 ai nuk mendon se duhet “të fluturohet” nga gëzimi por t’i përvishen punës për të rregulluar mangësitë që ende ka skuadra por edhe në merkato për të tentuar deri në fund marrjen e lojtarëve cilësorë. “Ka qenë një tjetër ndeshje që na shërbeu për të parë veten se ku jemi me përgatitjet tona. Natyrisht fitorja na gëzon dhe për më tepër jam I kënaqur me paraqitjen e skuadrës në pjesën e dytë. Vërtetë morëm duartrokitje nga ana e tifozëve por mendoj se edhe ata kërkojnë më tepër. E kam shumë të qartë se çfarë kërkon publiku shkodran dhe e di mirë se kur ai është I kënaqur. Kemi mangësi sërish në sulm dhe na duhet të gjejmë deri në fund për një lojtar- goli. Përveç tij, gjatë këtyre 10 ditëve duhet të tentojmë edhe për një mesfushor dhe nëse I gjejmë, atëherë do jemi në rregull. Sa I takon sulmuesit kroat që ishte në provë, ai ashtu si në stërvitje nuk më ka bindur plotësisht sepse nuk bën diferencën me lojtarët që kemi aktualisht në skuadër. Do të jetë në provë ndoshta edhe 2-3 ditë megjithatë nuk shoh shenjat e duhura tek ai”.