Nikaj: Vllaznia bashkë me tifozët do ta mundë patjetër Partizanin

239

Njeriu që është duke drejtuar aktualisht kuqeblutë bashkë me kolegun e tij Avenir Dani dhe drejtorin sportiv Armir Grima, është optimist për një fitore në ndeshjen e nesërme me Partizanin. Për Samuel Nikajn, është e dyta ndeshje që ai do jetë në timonin e kuqebluve dhe ai mendon se ka ardhur momenti që ata të kthehen pas shumë javësh tek fitorja. Në një intervistë në pragndeshjen me Partizanin, ai ka thënë se këtë skuadër e njohin më mirë se çdo kundërshtar tjetër sepse janë ndeshur plot 4 herë këtë sezon dhe bilanci është pozitiv ndaj tyre. “Kundërshtari është shumë i fortë, vjen i qetë në Shkodër sepse ka pretendime për në Kupat e Europës ndërkohë që ne gjendemi në kushte krejt të tjera. Megjithatë, në të katër përballjet me këtë skuadër, si në kupë ashtu edhe në kampionat, kemi treguar se mund t’ia dalim për ta mundur. Këtë gjë do kërkojmë edhe këtë herë, për më tepër që Vllaznisë i duhet medoemos fitorja dhe bashkë me tifozët tanë të zjarrtë, besoj se do ia arrijmë”- ka thënë ai.Megjithatë kjo sipas tij nuk mungon sepse duhet konkretizuar me një fitore të mundshme, çka do të shtonte shpresat për mbijetesë. Trajneri Nikaj po ashtu flet edhe për kolegun e tij në pankinën e kuqe, portugezin Sampaio duke thënë se ia njeh mjaft mirë skemën e të luajturit dhe do mundohet ta mundë. “E njoh skemën e këtij trajneri që luan me një mbrojtje të ngjeshur dhe me një kundërsulm të shpejtë. Kuptohet që do të mundohem t’i kundërpërgjigjem me një skemë tjetër në mënyrë që t’i mundim. Kemi probleme me disa lojtarë të dëmtuar megjithatë besoj se do ia dalim. Unë shpresoj që ta nisim aty ku e lamë në Kukës, të luajmë me të njëjtën lojë dhe të kërkojmë fitoren. Vërtetë kemi 10 ndeshje pa fitore por në shumicën e tyre na ka munguar fati. Shpresoj që edhe fati këtë herë të jetë në anën tonë për të fituar dhe për të qëndruar në Superligë. Sa i takon pozicionit tim, unë vazhdoj të bëj detyrën. E kam për krenari t’i shërbej Vllaznisë, madje për këtë emër të madh të futbollit shqiptar unë bëj çdo punë. Jam rritur me këtë emër, jam rritur duke shijuar ndeshjet e bukura të ekipit të vitit 1987 dhe prandaj dua t’i shërbej sa më shumë dhe sa më mirë asaj”- ka thënë Nikaj në fund të prononcimit të tij. Takimi Vllaznia- Partizani luhet të dielën në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi” dhe pritet të ndiqet sërish nga një numër i madh tifozësh ashtu si para tre javësh ku këto dy ekipe u përballën sërish me njëri- tjetrin në një ndeshje që përfundoi në barazim 1-1.
© vllaznia.al