Programi i ndeshjeve të Vllaznisë për muajin shkurt

264

Muaji në të cilin kemi hyrë do të jetë shumë i ngjeshur me ndeshje por edhe i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme të Vllaznisë si në kampionat ashtu edhe në Kupën e Shqipërisë. Ndonëse shkurti është muaji më i shkurtër i vitit, për futbollin nuk do të jetë kështu, sepse nisur edhe nga fakti se do të ketë një ndërthurje të ndeshjeve të dy kompeticioneve, kuqeblutë do të luajnë gjashtë takime këtë muaj. E nisën në mënyrë të suksesshme duke fituar ndeshjen e Kupës ndaj Teutës me rezultatin 1-0 falë golit të shkëlqyer të Alsid Tafilit por skuadra nuk ka kohë për pushim. Ditën e dielë ajo do të luajë një ndeshje shumë të rëndësishme për kampionat ndaj Partizanit, pikërisht në “Selman Stërmasi”. Ky takim do të jetë i vlefshëm për javën e 20-të të Superligës. Pas tij, shkodranët do të kthehen në qytetin e tyre për pritur Flamurtarin në ndeshjen e javës së 21-të. Katër ditë më vonë, Vllaznia do të udhëtojë drejt Durrësit për të luajtur ndaj Teutës ndeshjen e kthimit çerekfinale të Kupës, duke patur si objektiv mbrojtjen e rezultatit të ndeshjes së parë dhe kalimin në gjysmëfinale. Sërish pas katër ditësh, përsëri transfertë për të sepse do t’i duhet të udhëtojë për ndeshjen e javës së 22-të të kampionatit,atë ndaj Korabit që në fakt nuk dihet se në cilin stadium do të luhet. Muaji shkurt do të mbyllet me ndeshjen e kampionatit ndaj Skënderbeut dhe Vllaznia përveçse do të kthehet në “Loro Boriçi”, do ta luajë këtë takim edhe me projektorë duke synuar marrjen e një rezultati pozitiv. Skuadra nën drejtimin e stafit teknik po punon në mënyrë intensive për t’i përballuar me sukses këto sfida të këtij muaji.
Ja kalendari i plotë i 6 sfidave të muajit shkurt:
E mërkure 1 shkurt 2017, ora 14.00, turi çerekfinal i kupës së Shqipërisë, Vllaznia- Teuta
E dielë 5 shkurt 2017, ora 17.00, java 20-të e Superligës, Partizani- Vllaznia
E shtunë 11 shkurt 2017, ora 14.00, java 21-të e Superligës, Vllaznia- Flamurtari
E mërkurë, 15 shkurt 2017, ora 13.30, turi çerekfinal i kupës së Shqipëisë, Teuta- Vllaznia
E dielë, 19 shkurt 2017, ora 14.00, java 22-të e Superligës, Korabi- Vllaznia
E shtunë, 25 shkurt 2017, ora 17.00, java 23-të e Superligës, Vllaznia- Skënderbeu

www.vllaznia.al