Raineri: Fitorja e sotme vlen shumë. Jemi në rrugë të mbarë

217

Trajneri i Vllaznisë Baldo Raineri ka mbetur i kënaqur me reagimin e skuadrës sot në fushën e lojës në ndeshjen që ai kishte konsideruar si shumë të vështirë, atë me Apoloninë. Për të, e rëndësishme është që skuadra mori tre pikët. “Këto tre pikë ishin të rëndësishme, e bashkë me to edhe ato të ndeshjes së ardhshme me Elbasanin. Unë ua kam thënë futbollistëve të mi para ndeshjes se jemi në një moment delikat, atë të ngjitjes në renditje ose të kundërtën, atë të zbritjes. Dy ndeshjet do ishin vendimtare. Fituam me Apoloninë dhe kjo na jep mundësinë të marrim pak frymë por nuk do ndalemi këtu. Sigurisht që nuk ka qenë kjo ndeshja jonë më e mirë dhe prandaj duhet të punojmë për të korigjuar gabimet për ndeshjen e ardhshme. Soza? Sulmuesi e di që matet me gola por ngaqënjëherë detyra e tij nuk është vetëm të shënojë por edhe t’i shërbejë ekipit. Sot Soza bëri këtë të dytën, duke qenë protagonist në të dy golat me pasimet dhe lëvizjet e tij. Jam i bindur se shpejt ai do të dalë edhe tek goli. MUngesa e publikut ndikoi sepse në pjesën e dytë kur loja jonë ra pak, nëse do kishim mbështetjen e publikut, do të ishte ndryshe. Sa i takon takimit të ardhshëm me Elbasanin, e konsideroj sërish të vështirë por duhet ta zgjidhim si sot sepse e përsëris, janë ndeshjet tona të kampionatit këto”- ka thënë Raineri në konferencën për shtyp pas ndeshjes së fituar pasditen e sotme me Apoloninë me rezultatin 2-0.
© vllaznia.al