Raineri: Një Vllazni dinjitoze përballë çdo kundërshtari. Kjo është skuadra ime

265

Trajneri Baldo Raineri, edhe dje nuk e ka kursyer festimin e tij pas fitores me Partizanin duke e quajtur normale për një teknik. Italiani pohoi se “hajmalia” e ekipit të tij është Armir Grima. “Me fitoren ndaj Partizanit treguam se jemi një skuadër tjetër, kemi gjetur ekuilibër e qetësinë e duhur për të ecur përpara, që na mungonte. Vazhdoj ta përsëris prej ditësh se ‘hajmalia’ jonë është Armir Grima, i cili na ka dhënë ekuilibrin e duhur në planin administrativ. Tashmë jemi një skuadër e bashkuar, trajner e lojtarë jemi të izoluar nga pjesa tjetër që neve nuk na intereson. Unë që nga dita e parë kam thënë të vërtetën se do të shkoj për të fituar kudo. Pastaj, nëse marr humbje, durim. Do të punoj për të kërkuar përmirësim.Mua më intereson skuadra ime, tifozët e mi, klubi im, jo se çfarë thonë e mendojnë kolegët. Jam i kënaqur vetëm me ata kolegë të mi shqiptarë, me të cilët bëjmë kursin bashkë dhe vijnë të më takojnë. Festimi? Unë bëj atë që ndiej, atë që më thotë zemra. Përse nuk duhet të festoj?! S’e kuptoj! Festojnë lojtarët, festojnë tifozët, përse s’duhet të festoj edhe unë. Nuk kam ardhur këtu për t’u shfaqur me xhaketë e kravatë, duke u bërë model për ‘Armanin’, apo për ‘Versaçen’. Kam ardhur të bëj trajnerin, për të punuar gjatë javës”, tha italiani i pankines shkodrane.

© vllaznia.al