Raineri: Të fitojmë me çdo kusht ndaj Apolonisë dhe Elbasanit

201

Dy ndeshjet e ardhshme ndaj Apolonisë dhe Elbasanit, konsiderohen shumë të vështira dhe njëkohësisht të rëndësishme për Vllazninë. Kështu ka deklaruar trajneri i saj Baldo Raineri në konferencën e sotme për shtyp. Si zakonisht, një ditë para ndeshjes së rradhës për kampionat, ai është para gazetarëve për të dhënë mendimin e tij për ndeshjen. Edhe sot është ndjekur e njëjta praktikë pune. “Nuk është mirë që do luajmë pa tifozë sepse siç dihet, futbolli është për tifozët megjithatë jemi të pafuqishëm për të ndryshuar gjë dhe do jemi të detyruar të luajmë edhe pa to. Ndeshja me Apoloninë është e vështirë dhe njëkohësisht e rëndësishme, ashtu si dhe ajo e ardhshmja me Elbasanin. Unë ua kam thënë futbollistëve të mi se kemi të bëjmë me dy përballje shumë të vështira dhe kurrsesi nuk duhet t’i nënvleftësojmë. Vërtetë këto ekipe nuk mund të krahasohen me Kukësin, Tiranën apo Flamurtarin por të jeni të bindur se përballë nesh, ato do japin maksimumin dhe nuk do ta kemi të lehtë t’i mundim”- ka thënë Raineri. Për ndeshjen e nesërme me fierakët që do të nisë në orën 14.00, trajneri ende nuk e ka përcaktuar formacionin me të cilin do luajë. Skuadra shkodrane po funksionon mirë në prapavijë ndërkohë që lë ende për të dëshiruar në manovrën sulmuese. I pyetur rreth kësaj çështje dhe çfarë do rregullojë ai për të shënuar gola dhe për t’i fituar ndeshjet, Raineri ka thënë: “Ky është një konstatim mëse i drejtë. Në lojën sulmuese ende nuk jemi në nivelin e duhur. Ka ndodhur kështu edhe ngaqë Soza, Aguirre e Cioffi janë bashkuar vonë me skuadrën dhe ende nuk janë ambjentuar megjithatë besoj se shumë shpejt, do ta rregullojmë edhe këtë gjë”. Gazetarët kanë dashur të dinë edhe në lidhje me çështjen e pagesave të padhëna nga ana e klubit si për stafin ashtu edhe për lojtarët, por tekniku kuqeblu ka thënë me shumë diplomaci se tashmë ka rëndësi tjetër gjë. “Ne të gjithë jemi profesionistë dhe punojmë për t’u paguar. Drejtuesit e klubit na kanë dhënë garancinë se gjithçka do jetë në rregull sa i takon pagesave dhe prandaj nuk e kemi shumë mendjen tek rrogat. Ne jemi të përqendruar tek sfida me Apoloninë të cilën duhet ta fitojmë patjetër”- ka thënë zviceriani me origjinë italiane që drejton këtë sezon kuqeblutë.

www.vllaznia.al