Shtubina: E rëndësishme fitorja e Vllaznisë, jo golat e mi

244

Ai ka qenë protagonisti kryesor i shënimit të të dy golave që i dhanë fitoren Vllaznisë sot ndaj Apolonisë. Ndriçim Shtubina megjithatë nuk ndjehet si “heroi” i kësaj skuadre. Në një intervistë për mediat pas ndeshjes, mesfushori me tipare sulmuese i kuqebluve ka thënë se mbi të gjitha rëndëi ka që skuadra fitoi. “Personalisht nuk futem në fushë me idenë se më duhet të shënoj. Kur më krijohet mundësia natyrisht që përpiqem ta shfrytëzoj në maksimum megjithatë për sot, e rëndësishme ishte të merrnim tre pikët. Me përjashtim të 15 minutave të para ku nuk u ngjitëm aty ku duhet, besoj se pjesën tjetër të lojës e kontrolluan ne fushën dhe falë dy golave që shënuam, morëm një fitore me mjaft vlera”- ka thënë Shtubina i cili edhe në ndeshjen e sotme ashtu si në Vlorë javën e kaluar, ka mbajtur shiritin e kapitenit të skuadrës. I pyetur se çfarë ka ndryshuar për mirë sivjet tek kuqeblutë të cilët po tregohen një skuadër më solide se një sezon më parë, Shtubina përgjigjet: “Mendoj se sivjet grupi është më mirë. Ka më shumë harmoni dhe kjo duket qartë, duke qenë një krahasim i madh me vitet e tjera ku ka patur jo pak përçarje në skuadër”. Aktualisht numri 10 i kuqebluve është në kuotën e 3 golave të shënuar këtë kampionat dhe i pyetur nëse ka objektiv sesa gola do të shënojë, ai do përgjigjej: “Nuk kam asnjë mendim të tillë. Unë nuk hyj në fushë për ta patur mendjen tek goli por për t’i shërbyer skuadrës në mënyra të ndryshme. Vërtetë deri tani kam shënuar tre gola dhe për këtë jam i kënaqur, por më së shumti sepse këto gola i kanë dhënë katër pikë Vllaznia”.
© vllaznia.al