Shtubina entuziast: Ndaj Partizanit, spektakël dhe fitore

192

Ndriçim Shtubina të dielën ka qenë një nga lojtarët që e ka ndihmuar ekipin e tij për të arritur një rezultat pozitiv në përballje me Kastriotin. Goli i shënuar prej tij në fillimin e takimit krijoi një bindje se kuqeblutë do e kishin të lehtë arritjen e një fitoreje, por kalimi i minutave tregoi se Vllaznia nuk e kishte aspak të lehtë. Për shkodranin e mesfushës Vllaznia ka pasur edhe fatin me vete në këtë përballje. “Ishte një takim ku na duheshin pikët maksimale. Ne vinim pas një ndërprerjeje që nga njëra anë është pozitive, por për ritmin tonë në lojë nuk ishte aq. Nuk ka qenë një nga ndeshjet tona më të mira, por rezultati na ka ngrohur pa masë. Ishte ndjesi e bukur, ku në ato minuta arritëm të fitonim një takim. Kishim pa diskutim edhe fatin me vete. Fati është pjesë e lojës, ndërsa duhet thënë se na ka munguar në dy përballjet që humbëm si me Skënderbeun dhe me Teutën. Kësaj here ishte në krahun tonë”, – ka thënë Shtubina.
Goli Golat përherë i japin një ndjesi të veçantë çdo lojtari dhe kjo i ndodh sa herë që shënon edhe mesfushori shkodran. Por, për herë ai ka dedikim për golat që shënon. Të gjitha shkojnë për personin që atij i mungon më tepër, babanë e tij, i ndarë nga jeta. “Kur shënoj në çdo takim kam një ndjesi të veçantë. Çdo gol kur shënohet është me vlerë jo vetëm për mua, por edhe për ekipin. Kur shënova normalisht në ato minuta, mendja më shkoi se mund ta kishim të lehtë këtë fitore, por nuk ndodhi kështu. Megjithatë, më vjen mirë që goli im dhe ai i shënuar nga Bushiç udhëhoqën skuadrën te suksesi. Unë edhe më parë jam shprehur se golat e mi kanë vetëm një dedikim, për babanë tim. Në çdo ndeshje nën fanellën e skuadrës kam fanellën me foton e njeriut më të shtrenjtë që mua më mungon shumë”, – vijon ai.
Partizani Shtubina është optimist se skuadra ku bën pjesë i ka mundësitë për të arritur rezultat pozitiv edhe në takimin e fundjavës ndaj Partizanit. “Mendoj se në aspektin psikologjik ekipi e ka marrë veten, pas kësaj fitoreje që ishte tepër e rëndësishme për ne. Nisur nga kjo, gjendja në tërësi e skuadrës është e mirë. Tani na duhet më shumë punë dhe besim, në mënyrë që të arrijmë te më e mira në këtë sfidë. Nuk ka asnjë mëdyshje që asnjë rival nuk është i pakalueshëm, ndaj jam i mendimit se edhe Partizani nuk është i tillë në fushën e vet. Ne shkojmë për të dhënë më të mirën e mundshme që kemi. Rezultati i mbetet fushës, por them se në lojë në këtë takim janë të tria rezultatet. Kam mendimin se në këtë përballje, që do të jetë e hapur, do të ketë edhe shumë gola, pasi të dyja skuadrat luajnë bukur futboll”, – ka mbyllur deklarimin e tij mesfushori shkodran.

Marrë nga gazeta “Panorama Sport”