Shtubina: Paraqitja e Vllaznisë ndaj Kukësit do të jetë krejt tjetër

228

Kapiteni i ekipit shkodran Ndriçim Shtubina është i bindur se skuadra ka nevojë për përforcime, por ato vetëm nëse ato janë të vlefshëm. Në një prononcim për mediat, ai i pyetur në lidhje me merkaton, është përgjigjur: “Vllaznia ka nevojë edhe për 11 lojtarë të tjerë, nëse vijnë të mirë. Çdo gjë është e mirëpritur në Shkodër”. Shtubina ka folur edhe për miqësoren e djeshme, atë të humbur me Besëlidhjen por ka siguruar të gjithë se ndaj Kukësit për ndeshjen e kampionatit, do të jetë një tjetër paraqitje e kuqebluve. “Ndeshja me Besëlidhjen nuk tregon asgjë sepse realiteti është krejt tjetër për Vllazninë. Ne vijmë nga një fazë përgatitore me ngarkesa dhe nuk mundëm të shpreheshim ashtu si duhet në fushë. Kuptohet që ndikoi edhe terreni i fushës që ishte aspak i përshtatshëm megjithatë ky nuk ishte justifikim për rezultatin. Por ju garantoj se me Kukësin do të jetë krejt ndryshe. Me Kukësin besoj se do të jetë krejt ndryshe. Sidomos në stadiumin tonë, jam i mendimit se të gjithë kanë për të dhënë maksimumin sepse sa herë që e kemi bërë këtë gjë, kemi treguar se mund të marrim pikë ndaj çdo skuadre”. Njeriu që mban shiritin e kapitenit tek skuadra shkodrane është pyetur edhe për objektivat e Vllaznisë edhe në Kupën e Shqipërisë ku duket se ka shans, pse jo edhe për ta fituar këtë trofe. Megjithatë ai nuk ka dëshirë të flasë për gjëra të tilla dhe për këtë do thoshte: “Duhet të ecim me kujdes sepse nëse mendojmë për të fituar trofe, do të jetë e dëmshme për ne sepse do të na ndikonte në kampionat. Të mos harrojmë se kampionati do të jetë shumë i vështirë në vazhdimin e tij dhe një gabim do të na rrezikonte shumë.Duhet t’i marrim ndeshjet me rradhë. Të fokusohemi njëherë në kampionat, kupa pastaj është çështje më vehte dhe do të mendojmë për të kur t’i vijë rradha”.

© vllaznia.al