Shtubina: Vllaznia e sivjetme më e mirë se ajo e sezonit të kaluar

228

Përveç trajnerit Armando Cungu edhe kapiteni i Vllaznisë Ndriçim Shtubina është i mendimit se skuadra nëse do të kishte guxuar pak më tepër dhe nëse do të ishte treguar më e vëmendshme në momente të caktuara, mund të kishte dalë e fituar në përballjen e mbrëmshme ndaj Kukësit. Një deklaratë të tillë mesfushori i kuqebluve e ka dhënë për gazetarët menjëherë pas ndeshjes duke thënë njëkohësisht se tashmë duhet parë përpara sepse kampionati sapo ka nisur.”Një ndeshje e cila edhe mund të ishte fituar nga ana jonë. Në fillim patëm pak vështirësi ndaj kundërshtarit por më pas hymë në lojën tonë, patën edhe raste të pastra për shënim por nuk ia dolëm. E rëndësishme ishte që treguam besim në vetvete dhe kjo do të na ndihmojë për të ardhmen. Në momente të caktuara shfaqëm edhe probleme por besoj se në të ardhmen do t’i rregullojmë. Ajo që mund të them unë është se tifozët duhet të besojnë tek kjo skuadër sepse është një skuadër më e mirë se ajo e vitit të kaluar dhe këtë e treguam edhe ndaj Kukësit. Një Vllazni e cila përballë ekipeve të mira të Superligës tregoi edhe njëherë tjetër se ka mundësi për të tentuar fitoren ndaj tyre dhe kjo është pozitive”- ka thënë ai. Për Shtubinën ky është sezoni i dytë që e nis si kapiten i ekipit dhe natyrisht që ka edhe një përgjegjësi më shumë bashkë me shokët e ekipit për të bërë një kampionat ndryshe nga këta të fundit.

© vllaznia.al