Sukaj: Edhe në Gjirokastër shkojmë për fitore

239

Xhevahir Sukaj është rikthyer në Shkodër për t’i dhënë një dorë në luftën për mbijetesë. Në janar la Partizanin dhe iu bashkua Vllaznisë, me të cilën ka shënuar dy gola, të dy në “Roza Haxhiu”, në fitoren 2-0. Goleadori i njohur shkodran ka folur sot për mediat në lidhje me situatën te kuqeblutë, pas dy fitoreve radhazi dhe lënies së vendit të parafundit në Superiore: “Fituam dy ndeshje të rëndësishme dhe morëm 6 pikë me mjaft vlera. Megjithatë, akoma nuk kemi dalë në sipërfaqe. Jemi ngjitur vetëm një shkallë, Teuta aty afër nesh është. Kemi ndeshje të vështira përpara, por duhet t’i marrim me radhë.Nuk kemi arritur askund, duhet të marrim disa fitore të tjera, që të qetësohemi disi. Kritikat ndaj meje? Nuk ka asnjë problem. Ato më bëjnë mirë personalisht. Jam në rritje ndeshje pas ndeshjeje dhe i angazhuar të jap maksimumin tim për këtë Vllazni. A do të shënoj gola të tjerë? T’ia lëmë kohës këtë. Në futboll nuk të bësh shumë premtime.Rëndësi ka të fitojë Vllaznia dhe të qëndrojë mes më të mirëve. Mos harroni se ndodhemi nën një presion të madh e të gjithanshëm. Ndeshja me Teutën ishte vendimtare, sepse luanim me kundërshtarin direct të mbijetesës. Tani na presin dy ndeshje jashtë, në të cilat do të tregohet qartë se sa të aftë jemi. Shpresoj të marrim pikët e duhura dhe të jemi më të qetë. Ne të gjithë po luftojmë për të shpëtuar Vllazninë nga rënia një kategori më poshtë. E dimë mirë se njollë më të madhe se rënia e Vllaznisë nuk mund t’i vësh vetes. Si unë, si drejtuesit, të gjithë jemi të ndërgjegjshëm për këtë fakt. Nuk kemi aleanca me askënd. As na favorizon, as na ndihmon kush. Jemi të vetëm në luftë dhe më mirë kështu. Po morëm fitoret tona, nuk besoj se do të jenë problem aleancat. Ndeshja e radhës me Luftëtarin? Një transfertë shumë e vështirë. Duke parë pozicionin në klasifikim, e kemi detyrim të mos dalim pa pikë”.

© vllaznia.al