Sulmuesi Bushiç: Jam në superformë, por ky është vetëm fillimi

229

Tomislav Bushiç, heroi i takimit me Kastriotin, pavarësisht se në një ditë jo tërësisht të mirë, është gjetur në vendin dhe në momentin duhur duke i dhënë ekipit të tij tri pikë të kthesës. Pas ndeshjes, ai u shpreh tejet i kënaqur për fitoren e arritur: “Ishte një fitore e merituar e ekipit tonë, pasi vuajtëm për ta arritur. Megjithatë, mund të them se ka qenë më e bukura në këto javë. Ka qenë një gol shumë i rëndësishëm që neve në këto momente na ka bërë shumë mirë”. Kroati mesa duket ka bërë atë që pak ditë më parë kishte premtuar edhe në një prononcim të tij. Ai kishte premtuar se do të mendonte për fitoren dhe një gjë të tillë e ka kthyer në realitet. Ky gol i shënuar ndaj krutanëve ka qenë i shtati i këtij lojtari në Superiore. Por, nisur nga vendimi i Komisionit të Disiplinës, i cili anuloi rezultatin e ndeshjes së Kukësit duke ua dhanë shkodraneve në tavolinë, ka bërë që sulmuesit t’i hiqet goli i shënuar në atë takim. “Golat e shënuar tregojnë edhe njëherë se po vij në gjendjen time optimale. Mund të them se tani jam në gjendjen time optimale, këtë po e shikoni dhe do ta shikoni edhe në vijimësi. Unë jam në më të mirën time”, – vijon ai. Bushiç nuk ka dashur që të ndalet që pas takimit me krutanët tek ai i fundjavës së ardhshme me Partizanin, pasi sipas tij duhet që më parë të analizohet mirë përballja me Kastriotin. “Është herët për të dhënë një mendim për takimin me Partizanin. Më parë duhet të analizojmë takimin me Kastriotin, të nxjerrim detyrat dhe më pas të mendojmë për të bërë më të mirën në takimin e radhës”.

© vllaznia.al