Supriza, edhe Vllaznia U-17 shpallet kampione e Shqipërisë

202

Një suprizë të bukur na ka dhuruar ekipi i 17 vjeçarëve i Akademisë së klubit tonë. Ai në javën e fundit të kampionatit është shpallur kampion i Shqipërisë. Pas trepikëshit të marrë në tavolinë nga Komisioni i Disiplinës për parregullsitë e vërejtura në ndeshjen me Olimpik, kuqebluve u duhej fitorja me Dinamon në ndeshjen e fundit. Dhe ajo ka ardhur në fakt. Goli i Blinishtës i ka dhënë tre pikë shumë të vlefshme kuqebluve të drejtuar nga trajnerët Alban Hasani dhe Alban Noga të cilët kësisoj janë kurorëzuar kampionë të vendit. Themi suprizë sepse ky ekip në fillimin e fazës së dytë të kampionatit ka qenë në vendin e pestë në renditje dhe plot 9 pikë larg vendit të parë megjithatë falë një ecurie të shkëlqyer në fazën e dytë, gjërat kanë ndryshuar. Në ceremoninë e dhënies së medaljeve ka qenë i pranishëm anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së Abdyl Kuriu dhe momenti i dorëzimit të kupës prej tij në duart e kapitenit Balaj, është shoqëruar nga brohoritje të shumta të pjestarëve të këtij ekipi por edhe të tifozëve të shumtë që kishin udhëtuar nga Shkodra në Tiranë për ta ndjekur këtë ndeshje.
© vllaznia.al