Tafili: Goli i shkëlqyer? E rëndësishme ishte fitorja e ekipit

264

Një gjuajtje e shkëlqyer nga jashtë zone, ka bërë që topi të përfundojë në rrjetën e portës së Teutës dhe jo vetëm kaq. Kjo kryevepër i dha fitoren Vllaznisë dhe po ashtu, hodhi edhe një hap të rëndësishëm për kualifikimin në turin tjetër të Kupës. Alsid Tafili është i kënaqur natyrisht për këtë gol por nuk ka dëshirë të ndalet në aspektin personal. Në një prononcim për mediat, ai shprehet se ishte një fitore e rëndësishme për skuadrën. “Një ndeshje e rëndësishme, një fitore e rëndësishme për skuadrën tonë,për synimet dhe objektivat që ka klubi si për mesin e tabelës në kampionat, por edhe në kupë këtë vit sepse mund të kapim Kupat e Europës nëpërmjet saj. Për këtë duhet të japim maksimumin edhe në ndeshjen e kthimit që në fillim të kalojmë këtë tur dhe pastaj të mendojmë edhe për ndeshjet e tjera”- thotë Tafili. Numri 40 i kuqebluve ka një rol të rëndësishëm në mesfushën e kësaj skuadre dhe ndërkohë, duke folur në lidhje me çështjen e kualifikimit në Kupë, ai kuptohet që favorizon skuadrën e tij me këtë rezultat prandaj shton: “Rezultati 1-0 i ndeshjes së parë mendoj se është një rezultat i mirë për ne. Kjo ngaqë kundërshtarit në ndeshjen e kthimit do t’i duhet me patjetër që të shënojë gol dhe prandaj e konsideroj një rezultat të mirë”. Tafili ka shënuar një super-gol ndaj durrsakëve dhe natyrisht që ndjehet i kënaqur për këtë gjë, megjithatë ai më shumë flet për suksesin e ekipit kur deklaron: “Ky ishte goli im i tretë gjatë këtij sezoni. Por ky goli i fundit ndaj Teutës sigurisht që ishte i rëndësishëm edhe në aspektin personal sepse më jep entuziasëm për më tej ndërkohë që ai merr edhe më shumë vlerë ngaqë i dha fitoren ekipit dhe për këtë jam i kënaqur”. E meqë po flasim për golat e Tafilit dhe meqë jemi në prag të ndeshjes me Partizanin, të gjithëve u kujtohet goli i tij brenda në kryeqytet dy sezone më parë, gol që i dha fitoren Vllaznisë. I pyetur nëse do ta dëshironte sërish të njëjtën gjë të dielën, ai përgjigjet: “Ka qenë një gol që ende më kujtohet, por këtë herë nuk besoj se ka shumë rëndësi se kush do të shënojë. E rëndësishme është që Vllaznia të marrë pikë në këtë ndeshje. Nëse do të shënoja unë sërish, do të ishte diçka edhe më e bukur. Partizani ka objektiva tjera nga tonat dhe prandaj një barazim besoj se do të ishte i kënaqshëm për ne në këtë takim”.
© vllaznia.al