Tafili: I kënaqur që goli im eliminoi Partizanin

232

Alsid Tafili ka qenë pa diskutim heroi i sfidës së djeshme, pasi me golin e tij i ka dhënë Vllaznisë kualifikimin ndaj Partizanit. 26- vjeçari ka hyrë në fushë në minutën e 96-të, por i kanë mjaftuar vetëm gjashtë të tilla për të shënuar golin e kualifikimit. I dalë nga akademia kuqeblu, por që më parë ka provuar të luajë edhe me Laçin, Teutën apo edhe në Greqi, prej dy sezonesh ka vendosur të rikthehet në Shkodër. Vetë protagonisti është shprehur pas takimit shumë i kënaqur që ka arritur të gëzojë jo vetëm shokët e skuadrës, por edhe sportdashësit shkodranë. “Kualifikimin nuk ia dhashë vetëm unë, por i gjithë ekipi. Ne kemi dhënë maksimumin që të gjithë për të kaluar më tej. Falënderoj Zotin dhe tifozërinë që unë shënova këtë gol. Natyrisht, është trajneri ai që e vendos se kur do të jem në fushën e lojës, por puna ime është që të jap më të mirën kur të më jepet mundësia”, – thotë Tafili. Golin e shënuar, djali i një prej mjeshtërve më të mëdhenj të çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar, pikërisht Agim Tafilit, ia ka dedikuar xhaxhait të tij. “Golin ia dedikoj xhaxhait tim, i cili pas vdekjes së babait ka qenë gjithnjë shumë pranë meje”.Në lidhje me ecurinë e skuadrës deri tani dhe për sfidën e fundit të këtij viti ndaj Laçit, Tafili komenton: “Natyrisht që do të shkojmë me një moral më të lartë në takimin me Laçin. Kemi zhvilluar një takim të lodhshëm, por kam mendimin se ekipi ka aq forca sa të bëjë një paraqitje të mirë në përballjen e fundit për këtë vit. Ne do të shkojmë për të bërë më të mirën. Duke parë ecurinë e deritanishme, mendoj se me disa ndryshime në janar, skuadra do të fuqizohet edhe më shumë dhe do të jemi një grup i mirë. Vllaznia i ka të gjitha mundësitë për të përballuar çdo kundërshtar dhe them me bindje se në fund të kampionatit do të renditemi në pozicione të mira”, – përfundon prononcimin e tij mesfushori i kuqebluve, Alsid Tafili. Shkodrani është një prej futbollistëve më të mirë të Vllaznisë dhe që këtë sezon ka bërë paraqitje mjaft të mira.
© vllaznia.al