Tomislav Bushiç: Vllaznia është një emër i madh

243

Nga një golashënues i Hajduk Splitit në Kroaci te një personazh që ka fituar shpejt zemrat e tifozëve shkodranë. Sulmuesi kroat, Tomislav Bushiç, ka arritur që të shënojë dy gola në vetëm tri takime të luajtura deri më tani me fanellën kuqeblu. Në Shkodër janë të bindur se kanë gjetur sulmuesin ideal, i cili ka një të kaluar mes klubeve me emër, jo vetëm në Kroaci, por edhe në Ukrainë me Dinamon e Kievit. Por, kush është sulmuesi kroat i Vllaznisë? Në një rrëfim ekskluziv për gazeten, Bushiç pranon të tregojë se si mbërriti në Shkodër, cilët janë shqiptarët e vetëm që njeh në futboll dhe jeta e tij në qytetin verior.

“Futbollisti i parë shqiptar që kam dëgjuar ka qenë Salihi”, – thotë ndër të tjera Bushiç. Një koincidencë e bukur, teksa bëhet fjalë për sulmuesin shkodran që ka shkëlqyer te Vllaznia. 27- vjeçar është i martuar dhe ka një djalë 4-vjeçar, ndërsa ndihet si në shtëpi nga pritja që i kanë bërë në Shkodër.
Tomislav, kush ishte njeriu që ju solli në Shkodër?
Menaxheri im maqedonas ishte njeriu që bëri të mundur transferimin tim te Vllaznia. Ai hyri në bisedime me drejtuesit e Vllaznisë dhe pasi u njohëm me ofertën, vendosa të firmos. U konsultova gjatë dhe ramë dakord për atë që unë kërkova.
Çfarë kishit dëgjuar për Shqipërinë si vend dhe futbollin këtu para se të vendosnit të transferoheshit te Vllaznia?
Të them të drejtën kisha dëgjuar shumë pak. Nuk kisha njohuri për vendin, sepse nuk më ishte dhënë rasti ta vizitoja, qoftë edhe si turist. Natyrisht nuk dija asgjë as për Shkodrën dhe Vllazninë.
Cilin futbollist shqiptar keni njohur më parë dhe kush ju ka bërë më shumë përshtypje për karrierën e tij në Europë?
Kam njohur pak futbollistë shqiptarë para se të vija këtu. Ai që njoh më mirë është sulmuesi i Rapidit, Hamdi Salihi.
E dini që Salihi është një idhull në Shkodër?
Po, e mësova kur erdha këtu. Diçka e bukur, pasi ai është vërtet një lojtar cilësor dhe me shumë vlera. Ishte një koincidencë interesante, pasi kur arrita akordin me Vllazninë, navigova në internet dhe pashë që Salihi e kishte nisur karrierën me këtë skuadër. Personalisht nuk kam njohje me Salihin, por rastësisht e kam ndjekur në televizor kur luante te Rapidi i Vjenës.
Ndikoi ky fakt që ju të mos hezitonit për të ardhur në Shkodër?
Deri diku po. Mund t’ju them se po ashtu unë kisha dëgjuar fjalët më të mira në kampionatin kroat për lojtarë si Vioresin Sinani dhe Devi Muka, që kanë luajtur shumë vite më parë. Disa shokë të mi më kanë treguar. Në njëfarë mënyrë, mund të them se jam këtu edhe prej Salihit, Sinanit dhe Mukës, sepse janë të vetmit futbollistë shqiptarë që kam dëgjuar të flitet më parë.
Cili ka qenë impakti i parë për qytetin dhe skuadrën?
Mund të them se qyteti më pëlqeu shumë. Mikpritja dhe dashamirësia ishin shumë domethënëse. Nga ana tjetër, për Vllazninë kisha dëgjuar fjalët më të mira si klub. Më thanë që është një emër i madh në Shqipëri. Pashë që ekipi kishte një presion për sa u përket rezultateve, për vetë emrin që ka.
Na tregoni pak si është një ditë e juaja në Shkodër?
Është një ditë e zakonshme e një lojtari profesionist. Zgjohem herët, ha mëngjes, pi një kafe dhe bisedoj me shokët. Më pas përgatitem për stërvitje. Kështu më shkon edhe pasditja.
Kush është miku juaj më i mirë te Vllaznia?
Nuk kam emra konkretë, pasi të gjithë më japin një miqësi nga ana e tyre, por më tepër qëndroj me lojtarët malazezë: Vujadinoviç dhe Rajoviç, pasi merrem më mirë vesh për shkak të gjuhës.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje te tifozëria shkodrane?
Është një njohëse e mirë e futbollit. Ka shumë kërkesë llogarie ndaj ekipit të vet, por është tepër realiste nga ajo që tregon Vllaznia në fushën e lojës. Pra, i vlerëson të gjithë siç duhet.
Na tregoni pak për karrierën tuaj te Hajduku dhe Dinamo e Kievit, a keni ndonjë peng?
Kam pasur një karrierë të bukur tek emra të njohur si Hajduku apo edhe të Dinamo e Kievit. Për mua ishin vite të arta, por më vjen keq që nuk jam ende në ato nivele. Ky është pengu që kam.
Mendoni se transferimi në kampionatin shqiptar ua ka ulur shumë pjacën?
Jo, aspak. Nuk do ta quaja si një ulje në karrierë për të luajtur me Vllazninë, pasi kjo skuadër mund të jetë një trampolinë e mirë për mua për të kapur përsëri majat me ekipe të njohura në Europë.
Nëse do të jetë një sezon i suksesshëm për ju, mund të rinovoni?
Së pari shpresoj të bëj më të mirën me Vllazninë në këtë sezon dhe pastaj do të shikoj atë që do të më ofrohet. Çdo gjë është e hapur, sepse të ardhmes asnjëherë nuk i dihet.
Është e vërtetë që para se të vinit në Shkodër mund të kalonit te Partizani?
Është e dyta herë që e dëgjoj këtë variant. Fillimisht e mësova kur firmosa te Vllaznia, por për hir të së vërtetës nuk kam pasur asnjë informacion nga menaxheri im.
Si të duket niveli i kampionatit shqiptar dhe me sa gola do të ishit i kënaqur në fund të sezonit?
Niveli i kampionatit më duket i kënaqshëm. Ka një rivalitet nga fillimi në fund dhe nuk ka emra që bëjnë diferencën, të paktën deri tani. Unë dua që të shënoj sa më shumë gola që të jetë e mundur për Vllazninë. Nuk kam dëshirë që të jap shifra, pasi mund të gaboj, por dua që të jem një nga golashënuesit më të mirë.
Cili është statusi juaj, i martuar apo beqar?
Jam i martuar dhe kam një bashkëshorte mjaft të mirë. Gjithashtu kam një djalë 4 vjeç që e dua shumë.
E pëlqeni jetën e natës?
Jam djalë i mirë (qesh). Nuk jam për jetë nate, jam një familjar i rregullt.
Ju pëlqejnë vajzat shqiptare?
Janë të bukura, por nuk më interesojnë.
Së fundmi, cila është dëshira juaj para ndeshjes së radhës, që do ta luani me Laçin në shtëpi?
Dua që të vijojmë të fitojmë në fushën tonë. Kemi një tifozëri të mrekullueshme dhe që dëshiron në çdo takim rezultatin maksimal. Shpresojmë që t’i kënaqim me një lojë të bukur dhe sigurisht fitore.

Admir URUÇI

(Marrë nga gazeta “Panorama Sport”)