Trajneri Canaj: Gjykimi na mohoi fitoren sot në Lushnjë

306

Shumë i revoltuar ka qenë trajneri i ekipit tonë Agim Canaj si në fushën e lojës ashtu edhe në përfundimin e ndeshjes të luajtur pasditen e sotme në “Roza Haxhiu” ndaj Lushnjës. Gabimi në golin e Lushnjës teksa duhej akorduar rivënie fundore dhe jo goditje këndi që solli edhe golin e Cankës, anullimi i golit të Shtubinës në minutën e 47-të dhe sidomos ai i Krujës në minutën e 82-të e kanë bërë atë të mendojë se gjykimi i ka mohuar fitoren Vllaznisë në këtë ndeshje. Këtë e ka thënë edhe në konferencën e shtypit të pasndeshjes kur ka deklaruar: “Na janë mohuar dy gola për të cilët gjykoj se ishin të rregullt, sidomos I dyti, ndërkohë që aksioni I golit të Lushnjës jam shumë I bindur se nuk ka qenë goditje këndi por rivënie fundore për ne. janë momente që vendosën fatin e ndeshjes dhe nuk është shumë normale kur këtë fat e vendosin gjyqtarët. Nuk më vjen aspak mirë që ndodh kështu sepse po ndëshkohemi në mënyrë të pamerituar”. Sigurisht që do jetë moviola ajo që do përcaktojë shumë gjëra por me shumë siguri, drejtuesit e klubit Vllaznia do ta ngrenë zërin për ngjarjet e ndodhura pasditen e sotme në Lushnjë.
© vllaznia.al