Trajneri Canaj: Teuta kërkon shumë kujdes por duhet ta mundim

223

Ndeshja e javës së 18-të e Superligës shqiptare në mes Vllaznisë dhe Teutës që do të luhet ditën e shtunë në orën 14.00 në stadiumin “Loro Boriçi”, konsiderohet shumë e vështirë por njëkohësisht edhe e rëndësishme për skuadrën shkodrane. Asaj nuk I lejohet as barazimi në këtë takim. Këtë e ka deklaruar edhe trajneri Canaj në prononcimin e tij për mediat një ditë para ndeshjes. “Do kemi të bëjmë me një kundërshtar shumë të vështirë megjithatë ne jemi të përgatitur për këtë gjë. Kemi të bëjmë me një takim të vështirë megjithatë ai nuk do të zgjidhë asgjë për të ardhmen tonë, as do na shpëtojë nga rënia prej kategorisë dhe as do na çojë në Kupat e Europës. Do jetë një përballje e rëndësishme në të cilën duhen marrë tre pikët në mënyrë që t’i koleksionojmë ato dhe të na shërbejnë për ndeshjet e ardhshme që kuptohet se do jenë më të vështira”- ka thënë Canaj. Pavarësisht kësaj vështirësie, Canaj ka garantuar se skuadra e tij do luajë mirë dhe do kërkojë me ngulm fitoren në këtë takim. Fakti që luhet në Shkodër e bën favorite Vllazninë megjithatë në fushë kuqeblutë duhet të jenë shumë rigoroz në zbatimin e detyrave ka thënë trajneri I saj. “Skuadra jonë është e plotë në këtë takim, na janë kthyer edhe Belisha dhe Semina dhe do kemi më shumë alternativa për formacionin. Vllaznia është përgatitur për ta kaluar me sukses këtë ndeshje dhe prandaj do ta tregojmë këtë edhe në fushën e lojës”-ka thënë tekniku i kuqebluve. Pozitat në të cilat ndodhen kuqeblutë në këtë pragndeshje e bëjnë mëse të domosdoshme marrjen e tre pikëve prej tyre megjithatë përballë do jetë një ekip si Teuta që jo më kot është në vendin e dytë në renditje. Kuqeblutë pasditen e sotme janë grumbulluar në hotel “Argenti” ku do qëndrojnë deri mesditën e nesërme, para se të nisen për në stadium për të luajtur takimin e shumëpritur me durrsakët.
© vllaznia.al