Trajneri Raineri: Vllaznia shkon për të marrë pikë në Laç

249

Optimizëm në kampin shkodran për ndeshjen e rradhës pavarësisht se situata në klub ka qenë shumë kaotike. Trajneri i Vllaznisë Baldo Raineri megjithatë duket entuziast për të vijuar me paraqitjet e mira që skuadra e tij po bën. Mesditën e sotme ai ka dalë sërish para gazetarëve ashtu siç ndodh zakonisht një ditë para ndeshjes së rradhës dhe ka folur në lidhje me atë çfarë e pret. “Laçi është një kundërshtar shumë i fortë të cilin ne e respektojmë por kjo nuk do të thotë se jemi të dorëzuar. Vërtetë Vllaznia në dy ndeshjet e fundit, si me Elbasanin ashtu edhe me Mamurrasin nuk ka luajtur mirë megjithatë këtë herë ndoshta do jetë ndryshe. Fakti që skuadra karikohet gjithmonë kur luan para skuadrave të mira, më kënaq. Kam besim tek futbollistët e mi se mund t’ia dalim me sukses edhe këtë herë për të vijuar me serinë e rezultateve pozitive. Na mungon Beqiri që është kapiteni jonë por mungesa e tij do jetë vetëm në fushë sepse ai do udhëtojë me skuadrën për në Laç për t’i qëndruar pranë asaj”- ka thënë tekniku italian. Megjithatë për gazetarët interes ka patur edhe për të ditur nga ana e trajnerit sesi po ndikon tek skuadra problemet mes drejtuesve të klubit dhe se a do të vazhdojë të drejtojë atë përderisa atë në Shkodër e ka sjellë kompania “Gea Sport” që duket se po i jep lamtumirën Vllaznisë? Përgjigjet e Rainerit kanë qenë të thjeshta dhe me shumë siguri edhe të sinqerta kur ka thënë: “Mendoj se këto probleme nuk kanë ndikuar. Natyrisht unë merrem me anën teknike të skuadrës sepse për anën administrative janë të tjerë që përgjigjen. Pastaj nëse sot ka polemika në mes drejtuesve, kjo nuk është një gjë e re. Që më 25 korrik kur kemi filluar stërvitjen, e njëjta situatë ka qenë. Duket se skuadra ka krijuar imunitet ndaj tyre për të mos thënë se ato probleme kanë ndikuar për mirë tek futbollistët. Ne si staf vërtetë kemi ardhur tek Vllaznia prej kompanisë “Gea Sport” të cilën e falenderojmë për këtë gjë. Kemi një kontratë me të ashtu siç kemi një kontratë edhe me klubin Vllaznia. Jemi të kënaqur me gjërat e deritanishme dhe kemi dëshirë të vazhdojmë nëse edhe drejtuesit e klubit dëshirojnë këtë gjë”.
© vllaznia.al