Vllaznia analizon Teutën. Evidentohen gabimet që sollën humbjen

94

Ashtu siç pritej, stafi drejtues i Vllaznisë e ka analizuar ndeshjen e fundit, atë të humbur ndaj Teutës, edhe me pamje filmike. Ka ndodhur kështu pasditen e sotme teksa të gjithë kuqeblutë bashkë edhe treshen e trajnerëve Canaj- Nikaj- Legata janë ulur para ekranit të TV-së për të parë dvd-në e ndeshjes. Stafi drejtues është ndalur kryesisht tek një apo dy gabime të konstatuara në pjesën e parë, përfshi këtu edhe gabimin në vendosje tek goli i parë ndërkohë që më shumë janë ndalur tek pjesa e dytë. 45 minutat e saj janë analizuar me hollësi, jo vetëm rastet e dy golave të pësuar por edhe në disa momente të tjera ku kanë gabuar. Analiza ka zgjatur rreth një orë dhe palët kanë diskutuar me qetësi për gjithçka ka ndodhur. Nga ajo çfarë është konstatuar, vetë futbollistët e kanë kuptuar përgjegjësinë për atë rezultat megjithatë tashmë rezultati i ndeshjes me Teutën nuk ndryshon më. Nëse është diskutuar me pamje sot, kjo është bërë me një qëllim të vetëm, korigjimin e gabimeve për ndeshjet e ardhshme. Tonet e analizës kanë qenë shumë të qeta si për të thënë se gjërat shkojnë mirë tek Vllaznia dhe për më tepër, nuk do ketë asnjë masë ndëshkuese për ndonjërin nga futbollistët, ashtu siç u fol në fillim të kësaj jave. Ndërkohë ditën e shtunë kuqeblutë do zhvillojnë miqësoren me Adën.
© vllaznia.al