Vllaznia ankohet për gjyqtarët: Shumë raste, 12 ndeshje, asnjë 11-metërsh

202

E kanë përmendur drejtuesit e Vllaznisë por në fakt ky është realiteti. Skuadra shkodrane është ndëshkuar jo pak në gjykim gjatë këtij sezoni. Si në ndëshkimet që i janë bërë në portën e saj ashtu edhe në mosdhënien e 11-metërshave kur i ka fituar. Rastet për këto të fundit nuk kanë qenë të pakta megjithatë ky është realiteti. E ka përmendur edhe vetë trajneri Canaj në konferencën e sotme për shtyp teksa ka kërkuar njëkohësisht gjykim korrekt e të ndershëm për takimin e nesërm me Kukësin. “Të them të drejtën, ne asnjëherë nuk jemi ndihmuar nga arbitrat. Nuk e them këtë për të na dhënë atë çfarë nuk na takon, por atë që meritojmë. Mjafton t’u them se në 12 ndeshjet e deritanishme, Vllaznia nuk ka marrë asnjë 11-metërsh ndonëse rastet për të na I dhënë ato, kanë qenë me shumicë. Nuk jemi ankuar asnjëherë sepse s’kemi ku të ankohemi prandaj gjithmonë në parimet e mia ka qenë që të japim maksimumin në fushën e lojës por nëse arbitrat na kanë dëmtuar, ndoshta pa dashje, ndoshta me dashje, por këtë herë unë do kërkoja një gjykim shumë korrekt sepse është një ndeshje shumë e rëndësishme prandaj ajo do arbitra shumë kompetentë që ta marrin përsipër një ndeshje të tillë dhe të mos kemi arbitra të niveleve të tilla që janë dënuar disa herë nga Federata për gabimet e tyre” – ka thënë ai. Përveç tij, edhe kapiteni Belisha një ditë më parë ka ngritur këtë shqetësim. Kuqeblutë janë ndëshkuar jo pak gjatë këtij sezoni dhe natyrisht kanë bërë thirrje për drejtësi në takimin e nesërm ndaj kukësianëve edhe për atë sepse është një ndeshje shumë delikate.
© vllaznia.al