Vllaznia B fiton 3-0 ndaj Adës. Debutojnë edhe tre futbollistë të Akademisë

221

Për ekipin e dytë të klubit tonë, pasditen e sotme ka ardhur fitorja e katërt në kampionat. Këtë herë, ajo ka arritur të triumfojë ndaj Adës me rezultatin e pastër 3-0. Ajo që ka spikatur në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në fushën sportive “Reshit Rusi” ka qenë debutimi i tre lojtarëve të Akademisë Vllaznia në ekipin B të drejtuar nga trajneri Kraja. Madje, përveç dy lojtarëve të ekipit U-19, Denis Miloti dhe Senad Hysenaj, ka debutuar me këtë skuadër edhe 16 vjeçari Eridon Qardaku. Krahas këtyre lojtarëve të ardhur nga ekipet e Akademisë, me Vllazninë B sot kanë luajtur edhe katër lojtarët e ekipit të parë, Arsid Kruja, Denis Dyca, Erdenis Gurishta dhe Rubin Hebaj. Ky i fundit madje ka qenë autor i golit të parë të ndeshjes, shënuar vetëm pak minuta pas fillimit të saj. Në pjesën e parë, kuqeblutë kanë fituar edhe një 11-metërsh që është shndërruar në gol nga Balaj. Po ky futbollist do të shënonte edhe golin e tretë dhe të fundit të takimit, pikërisht në minutën e 85-të. Me këtë fitore, ekipi shkodran ngjitet në kuotën e 13 pikëve duke qenë në mes më të mirëve të kësaj kategorie. Ndeshja është ndjekur edhe nga trajneri i ekipit të parë Armando Cungu dhe drejtori sportiv Eugent Zeka. Ky i fundit duke folur për faqen zyrtare të klubit në lidhje me këtë ndeshje, ka thënë: “Jam i lumtur jo për faktin se e fituam ndeshjen. Natyrisht që kur hyn në një garë gjithnjë ke dëshirë të fitosh por objektivat dhe synimi i klubit Vllaznia me këtë ekip nuk është vetëm kaq. Sot, me të debutuan tre futbollistë të Akademisë, ndër të cilët madje edhe një 16 vjeçar. Kjo gjë është për t’u evidentuar ashtu siç po japin kontributin e tyre maksimal edhe lojtarët që vijnë nga ekipi i parë. Synimi ynë është që t’u themi të gjithë futbollistëve të rinj dhe që premtojnë për të ardhmen se dyert për ekipin e parë janë të hapura për gjithësecilin. Ata kanë për detyrë thjesht të na bindin se çfarë dinë të bëjnë. Gjëja tjetër që dua të evidentoj është edhe harmonia e shkëlqyer që ekziston në mes trajnerëve të ekipit të parë, atyre të ekipit të dytë dhe të Akademisë, bashkë me drejtuesit e saj dhe ato të klubit. Besoj se kemi nisur të bëjmë gjëra të mira dhe ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen”.
Ja formacioni me të cilin luajti Vllaznia B në takimin e sotëm me Adën:
Hasani, Mehmedaj, Balaj, Gurishta, Hysenaj, Hasanaj (Miloti), Dyca, Lushaj, Hallunaj (Qardaku) Kruja, Hebaj (Ruqi). Tr: E. Kraja

© vllaznia.al