Vllaznia B merr edhe fitoren e dytë. Fiton 3-2 në transfertë me Kevitan

229

Ka nisur e suksesshme ecuria e ekipit B të klubit Vllaznia. Pas fitores 2-0 në javën e kaluar me Luzin në Shkodër, sot ai ka fituar 3-2 në transfertë me ekipin privat të kryeqytetit Kevitan. ndeshja është luajtur në fushën sportive në Yrshek dhe pritej me interes. Nga ekipi i parë i Vllaznisë, si përforcim për këtë ndeshje kanë qenë Dyca, Kruja dhe Kapaklija të cilët kanë bërë një paraqitje shumë të mirë dhe duke qenë liderë të ekipit. Ndeshja ka nisur me gol për vendasit që përfitojnë nga një pakujdesi e kuqebluve. Pak minuta më vonë do ishte Dyca që do barazonte shifrat në 1-1 dhe me këtë rezultat do të mbyllej pjesa e parë. Në të dytën, është Admir Mehja që kalon në avantazh Vllazninë B por Kevitan barazon për të dytën herë dhe kur dukej se ndeshja po shkonte drejt barazimit, do ishte Arsid Kruja ai që do të shënonte edhe golin e tretë, atë të fitores për ekipin shkodran. Përfundimisht 3-2 dhe Vllaznia B me 6 pikë në dy ndeshje, është në vendin e dytë në renditje ndonëse ka një ndeshje më pak se ekipet rivale. Një nisje e mirë e kampionatit nga ekipi që drejtohet nga trajneri Ervis Kraja që padyshim pretendon ngjitjen në kategorinë e parë në fund të këtij sezoni.

© vllaznia.al